Si është e mundur që kaq shumë zëra mendojnë ta marrin timonin e LDK-së sikur të ishte taksi pasagjerësh? LDK po trajtohet si plaçkë tregu nga klane të klonuara nga PDK-ja, të cilat kanë humbur çdo lidhje me filozofinë rugoviane dhe me gjenezën e saj politike.
LDK duhet urgjentisht të çlirohet nga tregtarët politikë që jetojnë nga favoret, pa guxim për të marrë përgjegjësi dhe pa vullnet për vendime të prera. Mentaliteti i fjalëve boshe dhe i mosveprimit po e mbyt partinë dhe po e shndërron atë në hije të vetvetes.
LDK është e popullit, jo e grupeve të interesit. Populli do ta mbajë LDK-në, por jo nëse vazhdon kjo kapje e brendshme dhe kjo uzurpim i strukturave të saj.
Brenda 15-tëshit i fundit duhet të largohet Lumiri dhe gjithë kjo gardë e instaluar, sepse rezultati i vetëm i tyre ka qenë përçarja, lufta e brendshme dhe humbja e elektoratit. Janë tepër të rrallë ata që kanë sjellë prurje të reja; përkundrazi, po e largojnë masivisht elektoratin tradicional dhe sidomos qytetarët që sot as nuk dalin më në zgjedhje.
Zgjedhjet duhet të kthehen te anëtarësia reale e LDK-së, përmes kuvendeve të mirëfillta dhe demokratike, e jo përmes farsave me numra artificialë nga nëndegët deri te kuvendet kryesore.
Armiku i LDK-së nuk është jashtë — armiku është brenda kalasë. Janë ata që ditën qajnë për LDK-në, ndërsa natën punojnë për ta copëtuar dhe për ta shitur pjesë-pjesë për interesa personale.
Vetëm një LDK me kryesi të pastër, të pavarur nga klanet dhe me vendime të prera mund ta nxjerrë partinë nga kjo rrugë pa kthim. Përndryshe, përgjegjësia për shkatërrimin e saj do të mbetet mbi emrat konkretë që sot po e mbajnë peng.
Edhe Dega e LDK-së në Gjilan duhet urgjentisht të shpallë zgjedhje në të gjitha nëndegët, ku përmes anëtarësisë autoktone të LDK-së të zgjidhen kryetari, kryesia dhe delegatët. Procesi duhet të zhvillohet me ushtrues detyre të kryetarit, për të ruajtur unitetin dhe stabilitetin e anëtarësisë deri në përmbylljen e plotë të procesit demokratik, pa asnjë favor dhe pa asnjë shkelje të rregullores statutare.
Me respekt,
M. Haziri









