Deputeti i LDK-së, Naser Rugova, ka vlerësuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në tetorin e këtij viti, raporton zeri.info.
Duke folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, Rugova ka thënë se këtë proces duhet ta drejtojë ajo parti e cila do të dalë fituese nga procesi zgjedhor.
Në një prononcim për “Zërin” deputeti i LDK-së ka deklaruar se ky subjekt shumë shpejt do ta njoftojë publikun për hapat e mëtejshëm qw do të ndërmerren në këtë drejtim.
“LDK tani konsideron se jemi vonuar shumë, se këto institucione nuk kanë legjitimitet të udhëheqin me bisedimet. Ne konsiderojmë se në një kohë sa më të shpejtë, pse jo kah mesi i tetorit, të shkojmë në zgjedhje të reja nacionale dhe ai që fiton garën, ta udhëheqë dialogun. Do të ishte kohë optimale që kah mesi i tetorit të shkojmë në zgjedhje dhe të vijë një qeveri dhe institucione kredibile dhe që kanë legjitimitet”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
I pyetur nëse LDK ka nisur hapat në drejtim të ngritjes së mocionit, Rugova ka thënë se deputetët e këtij subjekti janë unikë në këtë drejtim dhe se opinioni shumë shpejt do të njoftohet për veprimet që do të merren.
“Tani ne i kemi 27 deputetë dhe 27 deputetë të LDK-së kanë qëndrim unik sa i takon kësaj, sepse është edhe qëndrim zyrtar i partisë. Në afatet e caktuara optimale, kur ne e shohim të arsyeshme, do të procedojmë tutje edhe me hapat e tjerë. Po besoj që shumë shpejt do të jetë publike edhe për opinionin”, ka theksuar ai.