Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka konsideruar kërcënim ndaj KQZ-së, adresimin e djeshëm të ud. së presidentes, Vjosa Osmani.
Sipas LDK-së, KQZ-ja është kërcënuar nga ata që janë të obliguar sipas Kushtetutës ta mbrojnë atë institucion.
“Dje siç e dini edhe ju është kërcënuar KQZ-ja, ky është institucion i pavarur që nuk guxon të cenohet në punën e tij. Ky institucion është kërcënuar nga ata që janë të obliguar sipas Kushtetutës të sigurojnë punësim të pavarur dhe kushtetues të këtij institucioni”, tha Ardita Dushi në konferencë për media.
Sipas saj, adresimi i Osmanit është shkelje e Kushtetutës për dy arsyeje, transmeton Zeri.info
“Ky kërcënim është shkelje kushtetuese për dy arsyeje, e para, është ndërhyrje e drejtpërdrejt në punën e KQZ-së dhe e dyta, është tentim për favorizim të një grupi politik”, tha Dushi.
Sipas LDK-së, ky është kërcënimi i parë që nga paslufta që ju është bërë KQZ-së, duke u zotuar se nuk do të lejojnë një precedentë të tillë dhe shprehur të bindur se LDK-ja do të fitojë në zgjedhjet e 14 shkurtit, për t’i dhënë fund, siç tha ajo, praktikave të tilla të kërcënimit dhe shantazhimit.
“Për herë të parë në Kosovë që nga vitit 199 ndodhë një kërcënim i tillë dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e punës së KQZ-së.Nuk guxojmë të lejojmë që tash në vitin 2021 të kemi precedentë të tilla.
LDK-ja kërkon nga institucionet e pavarura dhe nga KQZ-ja që të mos ndikohen nga kërcënime të tilla dhe pavarësish nga kush vinë ato.
I garantojmë qytetarët e Kosovës se këto kërcënime dhe fushata e lincimeve publike do të marrin fund më 14 shkurt kur sovrani me votën e lirë do të refuzojë praktika të tilla të kërcënimit dhe shantazhimit”, tha ajo, duke garantuar se LDK-ja nuk do të lejojë që të kërcënohet vullneti i qytetarëve nga kërcënimet dhe linçimet.