Komisioni për Shëndetësisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës- Dega Gjilan, sot ka mbajtur konferencë për medie.
Kryetari i këtij komisioni, Dr.Imet Rrahmani, paraqiti para medieve e qytetarëve disa shqetësime të gjetura në fushën e shëndetësisë dhe sferën në komunën e Gjilanit.
“LDK konsideron se tash e dy vite, vëmendja e ekzekutivit të komunës është larguar nga këto dy fusha shumë me rëndësi për jetën e qytetarëve të Gjilanit.
Shëndetësia primare dhe çështjet sociale të gjilanasëve, janë larg fokusit të nevojshëm. Ka disa muaj që menaxhimi i shëndetësisë provohet të udhëhiqet nga zyra e Kryetarit dhe me ushtrues detyre, në vend se të emërohet një Drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë me kompetenca të plota, i angazhuar dhe i fokusuar në adresimin e nevojave të përditëshme.
Në rrethana të tilla veç sa thellohen problemet sistemore, nuk adresohen nevojat ditore, dhe nuk ka një veprim proaktiv zhvillimor.”- tha kryetari i Komisionit para qytetarëve.
Tutje ai shtoi se dështimi në funksionalizimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në nivelin dhe formën për cfarë është destinuar si investim në njërën anë, dhe dhënia e ish objektit të QKMF-së për shfrytëzim Policisë së Kosovës, janë veprime të pamenduara mirë nga ekzekutivi i komunës. Në objektin e ish- QKMF-së, do të duhej të riorganizohej shërbimi i stomatologjisë, me perspektivën e avansimit të tij edhe me shërbime të kujdesit dytësor stomatologjik, e jo të jepet prona komunale për institucionet qendrore. Udhëheqja e suksesshme e nje komune i shton pasuritë, i shfrytëzon drejtë ato dhe për nevoja prioritare të qytetarëve te vet.
Shembull i vendimeve ad-hoc, të pa menduara, pa asnjë objektivë të qartë, dhe vetëm sa për të thënë se po bëjmë diçka, janë edhe shkarkimet dhe emërimet pa asnjë kriter.
Si mund të cilësohen ndryshe shkarkimet e personave që ishin shefa në njësitë e caktuara, për tu kthyer e emëruar po të njëjtit si ushtrues detyre në po të njejtat shërbime?!
Ne mendojmë se ato u bënë vetëm për të i kënaqur ambiciet egoiste të individëve, përmbushur kërkesat elektorale dhe ushqyer politikat populliste.
– Përpos kësaj, komuna ka dështuar në hapjen me kohë të konkurseve dhe punësimin e profesionistëve në shëndetësi, ka dështuar në sigurimin e materialeve të domosdoshme për dhënien e shërbimeve në kushte minimalisht të pranueshme, në objekte shëndetësore, dhe jo vetëm në to. Pothuajse qe një vit e gjysmë ka mungesë të paspjegueshme të materialit higjieno-sanitar; ka joefikasitet në shfrytëzimin e buxhetit të ndarë për barna; ka ngarkesë të një njësie me shërbime të panevojshme karshi zvogëlimit të kohës së dhënies të shërbimeve në një njësi tjetër.
– Në sferën sociale, përpos mungesës së stafit të nevojshëm, keqpërdorimeve dhe interferimeve të përditshme në zgjidhjen e lëndëve, menaxhimit të njësive të caktuara nga persona jokompetent dhe pa përgaditjen e duhur shkollore, është për t’u kritikuar edhe mospërgatitja me kohë dhe mungesa e programeve për rastet e rënda sociale në përballimin e nevojave shtesë që sjell sezona e dimrit, si banimi, ngrohja dhe nevoja tjera bazike.
– Kompleksiteti i nevojave të grupeve të ndryshme të shoqërisë, si jetimët, nënat vetushqyese, të moshuarit e vetmuar, etj, ishte planifikuar të zbutej me ndërtimin dhe fuknsionalizimin e Fshatit Social, apo siç e njohim me emrin “ Fshati i lumtur”.
Kjo qeverisje duhet ta kthejë fokusin kah shëndetësia, dhe të jetë e gatshme të përballojë kërkesat e qytetarëve dhe nevojat e tyre!