Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës pritet të jetë më efikase se sa ajo e kaluara, pasi kjo përbërje dominohet nga deputetët e rinj. Kështu vlerësojnë njohës të çështjeve politike. Ata thonë se efikasitetit i legjislativit varet edhe nga puna e qeverisë. “Sa më shumë që të punojë qeveria, Kuvendi do të jetë më funksional”, vlerësojnë analistët politikë.
Bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, përbërja e re e Kuvendi të Kosovës do të dominohet nga deputetët që për herë të parë kanë fituar besimin e qytetarëve. Ky ndryshim pritet të ndikojë pozitivisht për një punë më efikase të Kuvendit, vlerëson njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu. Ai tha për Radio Kosovën se efikasitetit i Kuvendit varet edhe nga puna e qeverisë.
“Mendoj që kjo legjislaturë do të ketë ndryshime pozitive dhe angazhim më të madh, por kjo varet edhe nga qeveria. Sa më efikase të jetë qeveria që të propozojë ligje dhe të ofrojë çështje për trajtim në Kuvend, edhe Kuvendi do të jetë dukshëm më efikas”, ka thënë Baraliu.
Edhe Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës, që monitoron punën e Kuvendit, tha për Radio Kosovën se kjo legjislaturë pritet të jetë më funksionale se sa ajo paraprakja, pasi dominohet nga deputetët e rinj.
“Përbërja e legjislaturës së shtatë do të dominohet nga deputetët e rinj, pra, deputetë që marrin mandatin për herë të parë si përfaqësues të popullit dhe normalisht pritjet janë më të mëdha prej atyre, që ata të angazhohen më shumë në përmirësimin e punës së kuvendit dhe përfaqësimit të drejtë të qytetarëve”, është shprehur Haxhiu
Kuvendi i Kosovës gjatë legjislaturës së gjashtë është përballur me shumë probleme, kryesisht të natyrës politike, siç janë mungesa e kuorumit, mos gatishmëria për votimin e ligjeve, mungesa e mbikëqyrjes së ekzekutivit, e probleme të tjera. Analistët vlerësojnë se legjislatura e kaluar konsiderohet si legjislatura më e dobët e deritashme e Kuvendit të Kosovës.