Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se pas vendimit të fundit të MASHTI-it ndihet i detyruar të tregojë se që para më shumë se 10 viteve e ka shkarkuar ministren Nagavci nga pozita e Drejtoreshës së Shkollës “Yll Morina’.
Lekaj përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se ky shkarkim i Nagavcit erdhi me kërkesë të këshillit të prindërve dhe performancës të dobët.
“Nuk e kam pasur ndërmend ta tregoja kurrë, mirëpo po ndihem i detyruar.
Çka keni pritur më shumë nga ministrja Nagavci që para më shumë se 10 viteve e kam shkarkuar nga pozita e Drejtoreshës së Shkollës “Yll Morina” me kërkesë të këshillit të prindërve dhe performancë të dobët”, shkroi Lekaj.
Kujtojmë se, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, gjatë ditës së sotme në një konferencë për medie, tha se shtëpitë botuese kanë filluar t’i ngritin çmimet për blerjen e teksteve shkollore.
Nagavci për këtë tha se është menduar që të rimbursohen prindërit. Ajo është shprehur e bindur se procesi mësimor do të nisë më 1 shtator.
“Kemi pas jo veten dallim nga viti në vit por edhe dallime për tekstet e të njëjtës klasë nga shtëpitë e ndryshme botuese me çmime. Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transfermimin e mjeteve për tekste shkollore të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre”.
“Mënyra si është menduar që të bëhet rimbursimi i mjeteve ka të bëjë me mjetet në llogari të prindërve. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogarit dhe është proces i lehtë. Prindi në momentin që e identifikon veten, automatikisht dalin emrat e fëmijëve dhe do të sigurohemi që çdo gjë të shkojë në rregull. Pagesa do të bëhet paraprakisht dhe mjetet të shfrytëzohen për blerjen e librave që nuk do të ketë nevojë të ofrohen faturave”, tha Nagavci.
Ajo tha se kanë punuar si ministri në mënyrë që t’i sigurojnë tekste cilësore për nxënësit. Sipas saj, një nga objektivat kryesore të këtij dikasteri është përmirësimi i sistemit të arsimit.
“Puna që është bërë në finalizimin e ligjit për tekste shkollore dhe e kemi votuar në Qeveri dhe është në shqyrtim në Kuvend dhe pres që këtë vit të votohet. Kemi parapa që recensentët të jenë të licencuar. Kemi parapa mundësinë e përkthimit të teksteve me interes për tu përkthyer dhe e kemi fuqizuar këshillin për tekste shkollore”.
“Në kuadër të përmirësimit të teksteve do të veçohet rishikimi i teksteve, kemi paraparë një rishikim të strukturuar, tashmë kemi një raport të institutit pedagogjik me gjetje shumë të rëndësishme dhe një mendim të Avokatit të Popullit dhe së fundmi kemi filluar rishikimin e testeve të matematikës në gjuhën shqipe për klasat 1-9”, ka thënë Nagavci, teksa shtoi se do t’i rishikojnë tekstet edhe në të ardhmen.