Leonora Morina-Bunjaku shënon një tjetër sukses politik në qytetin e Gjilanit! Ish-nënkryetarja e Komunës ka dalë si femra më e votuar e Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar plot 409 vota nga elektorati i këtij subjekti në zgjedhjet komunale të 2025-ës.
Me numrin 15 në listë, Morina-Bunjaku ka arritur të fitojë besimin e qindra qytetarëve, duke dëshmuar se mbështetja për të mbetet e fuqishme dhe e qëndrueshme. Rezultati i saj e rendit ndër më të votuarat e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, duke e bërë një nga figurat më të rëndësishme të kësaj partie në nivel lokal.
Leonora Morina-Bunjaku, e njohur për përvojën e saj në qeverisjen komunale dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, ka marrë përgëzime të shumta nga mbështetësit e saj pas publikimit të rezultateve. Rikthimi i saj i fuqishëm në Asamblenë Komunale shihet si një konfirmim i qartë i besimit të elektoratit në punën, profesionalizmin dhe integritetin e saj politik.
“Mbështetja që mora nga qytetarët e Gjilanit është përgjegjësi dhe motivim për të vazhduar punën me përkushtim, ndershmëri dhe vizion për zhvillimin e qytetit tonë,” – ka deklaruar Morina-Bunjaku pas rezultateve.
Ky rezultat e rikthen Leonora Morina-Bunjakun në qendër të skenës politike lokale, duke e pozicionuar si një ndër zërat më të fuqishëm të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan dhe një figurë me peshë në vendimmarrjet e ardhshme komunale./Radio Star/