Në Gjykatën Themelore në Gjilan, të martën për shkak të mungesës së të akuzuarit Orhan Kryeziu është shtyrë seanca dhe njëherësh u lëshua urdhëresë për sjelljen e të akuzuarit në seancë. Ai akuzohet nga prokuroria se vodhi para nga kaca prej qelqi në furrën e bukës “Pashtriku”.Në mungesë të të pandehurit, gjyqtari Behar Ymeri ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.
Shqyrtimi i sotëm fillestar është shtyrë, kurse për datën e mbajtjes së seancës tjetër do të njoftohen palët në afat të caktuar ligjor, raporton “Betimi për drejtësi”.
Ndërsa, për të pandehurin Orhan Kryeziu do të përsëritet urdhëresa për sjellje nga ana e policisë.Orhan Kryeziu akuzohet se ka kryer veprën penale vjedhje.
Aktakuza e prokurorisë ngarkon të akuzuarin Orhan Kryeziu se në shkurt të këtij viti, në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjilan, me qëllim të përfitimit të kundërligjëshëm pasuror ka kryer vjedhje në dëm të dëmtuarit Z.D, meqë rast i pandehuri ka shkuar të furra e bukës dhe ka kërkuar byrek dhe derisa punëtorja ka hyrë në kuzhinë për t’ia sjellë porosinë, i pandehuri e merr kasën e qelqit, në të cilën ishin 40 – 60 Euro, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit.Vepra penale “vjedhje”, nga neni 313, paragrafi 1, të KPRK-së, është e dënueshme deri me 3 vite burg. /BetimipërDrejtësi