I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,
Si shtetase e Kosovës dhe me përvojë jete në Kosovë deri në vitin 2025, ndiej obligim qytetar të theksoj se një nga prioritetet më të rëndësishme në sistemin shëndetësor dhe social duhet të jetë sigurimi shëndetësor për të gjithë qytetarët, si dhe krijimi i një sistemi të mirëfilltë shtetëror për personat me aftësi të kufizuara.
Përvoja jonë personale është një shembull i dhimbshëm i mungesës së këtij sistemi. Unë dhe bashkëshorti im, dy profesionistë me përvojë të gjatë në fushën e Shkencave Kompjuterike dhe Edukimit Fizik dhe Sportit, jemi detyruar ta lëshojmë Kosovën për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale për djalin tonë autik, veçanërisht në perspektivën e jetës së tij kur të arrijë moshën madhore (tani është 11 vjeç).
Fëmijët me autizëm nuk kanë nevojë vetëm për mbështetje në moshë të hershme. Përkundrazi, sfidat shpesh bëhen edhe më të mëdha me kalimin e viteve. Rriten nevojat për terapi të vazhdueshme, edukim të specializuar, integrim social dhe përkrahje afatgjatë që u mundëson një jetë sa më të pavarur dhe dinjitoze. Pa një sistem të qëndrueshëm shtetëror, familjet mbeten të vetme përballë këtyre sfidave të mëdha.
Pikërisht për këtë arsye, shumë familje dhe profesionistë të kualifikuar detyrohen të largohen nga vendi në kërkim të një sistemi që u ofron fëmijëve të tyre mbështetjen që meritojnë. Kjo nuk është vetëm një humbje për familjet, por edhe një humbje për Kosovën.
Besoj fuqishëm se ndërtimi i një sistemi funksional për sigurim shëndetësor dhe për mbështetje të personave me aftësi të kufizuara do të ndikonte drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, në dinjitetin e familjeve dhe në ndalimin e largimit të profesionistëve nga vendi.
Me respekt,
Prof. Dr. Lindita Nebiu Hyseni
Profesore në Gjermani
Ish-Profesoreshë dhe Ish-Dekane në Universiteti Publik Kadri Zeka (UKZ) – Gjilan

