I nderuari kryetar,
Po e filloj këtë letër publike, drejtuar juve, me përshëndetjen mirëmëngjesi!
Uroj që të jeni në gjendje për ta kuptuar me sinqeritetin më të plotë letrën time publike.
Do të ndihesha vërtetë mirë po të mund të besoja se ju me veprime të fundit, gjoja për të respektuar ligjshmërinë, po tregoni shenja të zgjimit nga një gjumi i thellë. Por, fatkeqësisht, jam e bindur se po ndodh e kundërta. Së paku në rastin tim.
I nderuari kryetar,
Më vije mirë që më në fund, pothuajse në prag të përfundimit të mandatit tuaj katërvjeçar në krye të komunës, po provoni të reflektoni dhe ta ndjeni përgjegjësinë që keni, për të respektuar ligjet e Republikës së Kosovës. Por, në fakt, në raport me mua, në vend të respektimit të ligjit, po e thelloni zhytjen tuaj në paligjshmëri, pandershmëri, padrejtësi…
Unë kam marrë këto ditë një shkresë nga ju ku njoftohem me vendimin tuaj për pezullimin tim nga puna, me arsyetimin se ndaj meje është ngritur një aktakuzë. Para se t’i shkruaj ca fjalë në lidhje me këtë, më lejo ta rikujtojë se me të fituar pushtetin, sigurisht nga ndjenja ekzaltuese e fitores, filluat menjëherë me, siç thoni shpesh, “punë të hairit”.
Këtu punë tua të “hairit” siç thua, në raport me mua, në fakt ishin e kundërta, ishin punë të mbrapshta. Ju më larguat nga puna me idenë se po zbatoni ligjshmëri, por që në fakt ju u treguat i padrejtë ndaj rastit tim madje edhe shkelës ligji.
Procesi gjyqësor, ndonëse i gjatë e i mundimshëm, megjithatë, në fund e dëshmoi se sa veprim i padrejtë dhe i paligjshëm ishte veprimi juaj. Unë u ktheva në vendim e punës (ndonëse jo në pozitën e njëjtë) dhe vazhdova me punë, por si duket edhe ju vazhduat me të bëmat tuaja.
Vlerësoj se edhe tani ndaj meje është bërë një veprim i vazhdueshëm diskriminues që kulmoi me pezullim nga puna duke bërë që të më largoni nga vendi im i punës dy herë radhazi brenda mandatit tuaj. Ju më së miri e dini se pse?!
Përkundër që tani po bëhen disa muaj që personalisht me shkresë iu kamë vënë në dijeni se ndaj meje është ngritur aktakuzë, e di se natyrisht keni qenë në dijeni pasi aktakuza ka të bëjë edhe me këshilltarin tuaj, drejtorin e Urbanizmit, pastaj shefin e inspeksionit, zyrtarin tjetër të kësaj drejtorie dhe të tjerëve jashtë drejtorisë.
Po ashtu, edhe përkundër që deri më sot janë mbajtur dy seanca, që ndërlidhen me këtë rast, ju tek tani gjoja jeni në nivel të detyrës dhe i interesuar për zbatueshmëri të ligjit, andaj merrni vendim për pezullimin tim nga puna, për shkak të aktakuzës në fjalë. Për më keq, këtë veprim e merrni edhe në mënyrë selektive duke amnistuar, këshilltarin tuaj, nga vendimi për pezullim, përkundër që ndaj tij rëndojnë disa aktakuza.
Pra, më duket paradoksale ky veprim i juaj tani, në këtë kohë fushate, se po ngarendni për respektim ligji, edhe pse me dijeni për më se shtatë muaj për aktakuzën në fjalë. Po ashtu me duket paradoksale nëse pretendoni se nuk ishin në dijeni, kur ju ishit të njoftuar nga unë me shkresë .
Kryetar, po që se mbështeteni në të mos qenit i informuar, lind pashmangshëm pyetja se cila mendje dhe logjikë e shëndosh do ta pranonte, që një kryetar komune të mos jetë i informuar për një aktakuzë ku akterë kryesor dhe prijës i kësaj aktakuze është këshilltari i tij, Drejtori i një drejtorie, në këtë rast i Urbanizmit, pastaj shefi i sektorit, zyrtarë të tjerë, e disa afarist, favorit të të parit të komunës!
Kryetar, kjo nuk do koment.
Po ashtu pashmangshëm lind edhe pyetja se a vepruat qëllimisht për të mos vepruar përgjatë kësaj periudhe shtatë mujore, përkundër shkresës dërguar në adresën tënde për të të njoftuar për aktakuzën në fjalë. Rikujtojë se keni qenë të shpejtë në rastin tjetër të suspendimit të dhjetëra zyrtarëve të komunës, pa njoftim zyrtarë, por bazuar në lajmet në media. E di se shumë pak para seancës së parë të atij grupi, edhe vetë të akuzuarit e kishin pranuar për herë të parë aktakuzën dhe ishin vënë në dijeni, më në fund se pse realisht akuzoheshin.
Por, në rastin tonë, ju vendoset të heshtni për më se shtatë muaj dhe se përgjatë kësaj periudhe keni provuar të luani me ndjenjat tona sa herë ke pas nevojë të provoni të na zmbrapsni nga veprimet tona të duhura ligjore në të mirë të zhvillimeve urbane, nëse ato, për fatin tënd të keq, nuk kanë qenë në harmoni me interesat tuaja personale.
I nderuari kryetar,
Besoj ju kujtohet edhe reagimi im në lidhje me Planin rregullues “Qendra 4”, përkatësisht letra ime e hapur, në nëntor të 2016-tës, drejtuar anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, në lidhje me këtë çështje. E shtyrë nga ndjenja e obligimit moral dhe profesional, iu pata drejtuar anëtarëve të këtij organi,si profesioniste e fushës së urbanistikës, për t’i paralajmëruar për tejkalime ligjore.
Ata i mbyllën syt dhe veshët dhe vepruan kundërligjshëm dhe edhe ju heshtët, nuk reaguat, duke bërë që ky organ të marr një vendim të kundërligjshëm. Por, pastaj , siç e dini edhe ju, vendim i tillë i kuvendit është vlerësuar nga niveli qendror i jashtëligjshëm!
Ti kthehemi veprimeve më të fundit. A nuk është e turpshme që tani në prag të fushatës zgjedhore dhe “marifeteve të turpshme“ si në çdo fushatë deri më tani, ju e vëni veten gjoja në shërbim të implementimit të ligjeve, apo po vazhdoni të e dëshmoni kauzën e tregimit të forcës së pushtetit diskriminues?!
Se me ardhjen tuaj në pushtet, do të largohen zyrtarë nga puna, kjo u dëshmuar që në fillim, por ja që po dëshmohet se në të njëjtën mënyrë, po e përmbyllni edhe mandatin tuaj, të të qenit në pushtet.
Në fakt, veprimet tuaja ( sidomos për çështje të urbanizmit), nuk më habisin, sikur besojë që nuk të habisin as ty, sepse i pate pjesë të punës tuaj, të “arritjeve” tuaja në “zhvillimet urbane” ku po identifikohemi si komuna e zhvillimeve ndërtimore të një “fryme të re urbane”, destinimit të turpshëm-destinim të ri “socialo-kulturor”, që në artin e arkitekturës tonë tradicionale e shkollore, ky ka qenë term i panjohur!!!
Pra, ju me pushtetin tuaj, në këtë mandat, po e ndjeni lavdinë e kësaj rryme të re urbanistike ”Unikate për Komunën tonë”, – “Brend i ri urbanistik!”, pasi këtë “frymë urbane” tuajën, e keni futur në mesin e vendbanimeve tradicionale-familjare!
Për këtë “rrymë”- “frymë të re urbanistike” mund edhe të krenoheni – është meritë e juaja zhvillimi-decentralizues i urbanistikës suaj dhe tipologjive të reja urbanistike ndërtimore të këtij lloji. Për këtë “zhvillim të ri” tuajin, me destinim të ri, vërtet jeni Kampion!
Vërtet jam ndier dhe isha e diskriminuar, kur më larguat nga puna dhe nuk isha pjesë e qeverisjes suaj, kur morët mandatin. Doja të vazhdoja angazhimin tim profesional në zhvillimet urbanistike të qytetit –komunës sonë. Por tani ndihem e nderuar që nuk isha, por edhe tani në fund-mandatin tuaj, kur për herë të dytë, prapë u largova nga vendi i punës, pasi duket se nuk është nderë të jesh e vyeshme dhe profesionale, gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe komunës, përgjatë kohës së kësaj kaste në pushtet. Tani shihet se çmohet zhvillim me kundërvlerë- degradim Urban i Gjilanit. Të më falni nuk dua të jem pjesë e këtij mentaliteti.
Për fund, dua ta them edhe këtë se ndihem e lumtur që e pata përjetuar drejtësinë në rastin tim (për tu kthyer në vendë të punës,e për tu mos u thyer moralisht se në këtë vend nuk paska drejtësi, dhe se ligjet po i bëka dhe zbatuaka Maliqi!). Këtë drejtësi ma dha me të drejtë Gjykata Themelore, por në mungesë të vullnetit dhe përgjegjësisë tuaj, për ta implementuar këtë vendim dhe për të qenë i përgjegjshëm para ligjit, u dashtë të ma konfirmoi vendimin e drejtë edhe Gjykata e Apelit, për tu kthyer në vendin tim të punës, si shërbyese civile, aty ku kontribuova për më shumë se një dekadë .
Pavarësisht zhvillimeve të mëpastajshme, unë vazhdova e do të vazhdojë të jem këmbëngulëse deri në fund për të qenë profesionale në profesionin tim, për të qenë e dobishme dhe në shërbim për vendin dhe qytetarët, për të qenë përherë në zbatim te rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, e asnjëherë e veprimeve të kundërligjshme, të degradimit total (fushës së urbanizmit), edhe nëse për këtë, çmimi është të qëndrojë në shtëpi, në vend që të jem në vendin e punës.
Isha e diskriminuar në pafundësi gjatë gjithë kohës sa ushtrova detyrë e re (degraduese) që ma caktuat, pas kthimit në punë. Vazhdova të jem e gatshme ashtu siç ju kam njoftuar me rastin e pranimit të kësaj detyre, për t’i dalë ballë çdo sfide, me shumë vullnet, vetëm e vetëm, për t’i shërbyer qytetarëve me punën, dijen profesionale dhe përkushtimin tim, në të mirë të vendit.
Këtë e pata dëshmuar edhe në nivelin e detyrës si udhëheqëse e fushës së planifikimit, urbanizmit dhe ndërtimit dhe e kam ri-dëshmuar edhe tani në kohën tuaj.
E bindur se koha i sjellë ndryshimet dhe se drejtësia mund të vonojë por ajo do të triumfojë përherë, po e përmbylli me fjalinë e njohur se: “Ata të cilët ia bëjnë gropën tjetrit, do të bien vet në të!!!”.
Bahrije Mahmuti – Beqiri, arkitekte