Shkruan: Avni Rudaku
I dashur milet,
unë nuk jam askushi për ju, sikurse nuk jeni askushi ju për mua. As nuk jam virolog, as epidemiolog, as infektolog, as mikrobiolog, por merrni vesh: në Ferizaj, një qytet u bllokua prej një individi! (Ferizaj është afër me Shkupin, ka hyrje-dalje, dihet!)
O popull,
pse bre po ngarendni kah truqi?! Pse bre jeni të magjepsur me pa vetëm njerëz dhe nuk e ndjeni bukurinë e madhështinë e një druri, e një lisi që gati sa nuk është ngjitur me qiellin?!
Po irritohem nga disa prej jush në kohë koronavirusi:
Dilni bre fikall, dilni bre diku ku s’ka njeri të gjallë! Pse shkoni në Prevallë, në Bogë? Pse? Pse ky maniakizëm me të pa dhe me i pa njerëzit e tjerë? Pse vraponi pas truqit? Pse nuk mund ta duroni vetminë, izolimin? Pse nuk shkoni në mijëra fshatra përrallorë të Kosovës, pa qenë të famshëm?
Ju betohem në jetë, kurrë nuk kisha dalë as unë, nëse do të kishte njerëz të tjerë. Unë gjej fshatra që janë krejt të braktisur apo i sheh në largësi, dy-tre veta.
O popull, hiqjuni disave kur thonë: maska u duhet vetëm atyre që e kanë infeksionin dhe nuk duan ta bartin te të tjerët! Dëgjojeni Kinën për këtë, se ka përvojë më të mirë se evropianët: ajo përdoret edhe kundër ndotjes e smogut, që moti kohë në Kinë, por edhe për grip sezonal, kinezët e bartnin maskën! O popull, kudo që shkoni merrni maska, dezinfektues, mos u mundoni të paraqiteni shumë shpërfillës! Edhe në natyrë, merrni maska, sepse kur blini ndonjë ujë në një shitore apo e keni dikë afër e nuk ruheni! O popull maskën, dezinfektuesit, larjen e duarve, shfrytëzojeni maksimalisht! Për maska, pyesni Kinën!
O popull, bëni edhe pak durim, mos dilni për të tjerët, por dilni për veten e juaj!
Si ta shihni guzhvën, kallabllëkun, ikni e as mos iu afroni atij vendi!
O popull për dekada dilni në vende ku ka njerëz, ku ju shohin dhe ku i shihni të tjerët. Durojeni vetminë nga njerëzit dhe shoqërohuni me bimë, me pemë e perime, me dru, me lisa, me trungje, me gjethe, me kullosa, me shtëpi e fshatra të braktisura!
O popull, durojeni edhe vetminë, sepse lexoni më shumë, reflektoni më shumë mbi veten e juaj, mbi universin, natyrën, jetën. Bëheni më filozofë! Ju dalin, besa, edhe fotografitë më interesante! Ju shpesh duke dalë me njëri-tjetrin aq afër dhe në prapavijë, me një sfond e grumbull të madh njerëzish në pikniqe, nuk po ofroni asgjë interesante si pamje! Rrini më shumë të vetëm, më shumë në largësi, mos e qitni veten aq shumë pranë njerëzve, por rrini në largësi të mëdha, shkoni diku ku nuk ka bre njerëz.
O popull, o milet, hiqjuni more truqit në këtë pandemi globale! A e dini sa respiratorë i kemi a jo?! A e dini se mund të bëhemi gaz i botës dhe janë sfiduar edhe superfuqi, si SHBA?!
O popull, unë dal ma shumë se ju, harxhoj ma pak se ju, kafen e marrë me vete, një ujë, një lëng 50 centë, ama shkoj ku bën dreqi vo!
O popull, nuk e doni shoqërimin, komunikimin me njerëzit, ma shumë se unë, ama nuk duhet të komunikohet fizikisht në këtë kohë! Dilni fikall në natyrë, e mbushni bateritë e socializimit me Viber, me FB! Ikni komunikimit fizik, por më shumë flisni virtualisht!
O popull, e nisëm mirë, por që në çastin kur u bë ora e ndalimit, ora policore, u prapët, ju kapi një panik që nuk do të dilni më dhe e shfrytëzuat kohën e lejuar të daljes! O popull, pa orën e ndalesës, sa pak dilnit! O popull, tash dilni edhe për arsye të tjera: e keni humbur durimin, jeni mërzitur!
O popull, ke të drejtë, edhe pak nëse zgjatet, pa pagë, pa punë, në izolim, e çmontojmë krejt udhëzimin kundër koronavirusit, sepse më lehtë e përballojmë një virus, sesa një depresion, i cili çon në vetëvrasje teorike e praktike!
O popull, bëni edhe pak durim, bile prillin ta sosim, dilni fikall, sa herë dilni! O popull, mos u shpartalloni, durojeni atë dreq vetmie! Prisni edhe pak…
Faleminderit shumë për vëmendjen!
Me nervozë,
Njëri nga ju