E nderuara Apostolova,
Po bëhen shumë vite qëkur Kosova ka hy në skanerin e Bashkimi Evropian. Shumë kritere dhe të njëpasnjëshme, nevojë e pa nevojë, të praktikuara më parë e eksperimente shumë herë.
Shkruan: Ardian Azemi
Na keni thënë ejani në dialog me Serbinë sepse është e vetmja rrugë përmes së cilës të dyja shtetet munden ta ndërtojnë të ardhmen evropiane. Sa vite që jemi shtet, thuajse aq vite jemi në dialog me Serbinë.
Janë nënshkrua një mori marrëveshjesh të cilat Kosova i ka respektua në përpikëri, e thuajse asnjë Serbia. Nuk po arrijmë ta kuptojmë pse gjithë kjo padrejtësi ndaj Kosovës, dhe respekti e ledhatimi i pakufi ndaj Serbisë nga ana e BE-së..?!
Nëse ndaj asnjë qytetari tjetër, nga sportistët, artistët, biznesmenët, duhet të iu vije keq. E keni parë se çfarë padrejtësie keni bërë ndaj Kosovës, duke ia mohua të drejtën e lëvizjes së lirë sportistëve tanë të cilët ngado që shkojnë, dalin të parët, dhe rrallë herë në vendin e dytë.
Përgjatë një shekulli na keni diskriminuar, na keni llogaritur njerëz të malit, pa vlera e pa dije, pa kulturë e respekt. Thjeshte, njerëz të egër. Tani, e keni kuptuar se keni të bëni me një popull më evropian se evropianët.
E keni marrë vesh se shqiptarët janë popull që nuk kanë zemër ti bëjnë keq tjetrit. Një popull i shtypur historikisht, i masakruar e persekutuar, i cili është i gatshëm të falë vetëm për hir të respektit që ka për miqtë ndërkombëtar dhe të ardhmen e vet evropiane. Thjeshtë, ju duhet ta përmirësoni të kaluarën e padrejtë ndaj Kosovës, bile pak!
Kosovës i keni vendosur kritere që asnjëherë më parë nuk janë praktikuar në shtetet tjera. Madje, as ndaj këtyre për rreth nesh. Me ato kritere, keni arritur suksesshëm ta polarizoni skenën politike në vend, keni mbjell pasiguri dhe urrejtje edhe në mesin e qytetarëve, lëre më ndërmjet partive politike.
Jemi i vetmi shtet nga i gjithë rajoni që na mohohet e drejta e lëvizjes së lirë. Pra, i vetmi popull ndaj të cilit aplikoni regjimin e vizave Shengen. Imagjinojeni, në këtë shekull kur bota bënë gjetje të përditshme në planete të reja, qytetarët tanë nuk kanë mundësi ta vizitojnë një të afërm të tyre që jeton e vepron në shtete të BE-së.
Sinqerisht, e pakuptimtë! Kosova është i vetmi shtet që hyn në dialog pa kushte. Madje, duke qenë viktimë. Nuk kemi vënë kushte për të na njohur si shtet paraprakisht, nuk kemi kërkuar dëmshpërblim nga Serbia paraprakisht, ende mijëra shqiptarë janë të zhdukur, e që shteti serb e di fare mirë ku janë.
Kemi nënshkrua marrëveshje të cilat edhe kanë ra në kundërshtim më vullnetin e qytetarëve të Kosovës, vetëm për ti hapë rrugë integrimit të vendit në BE. Çka keni bërë?!
Kosovës i janë nxjerr dhjetëra kritere të reja, ndërsa Serbia çdo ditë më afër BE-së, madje me një qeveri e cila udhëhiqet nga njerëz që dikur bënin thirrje për vrasje masive e gjenocid. A nuk është turp kjo?!
Sikur ishim dakorduar që mos të pengojmë njëra-tjetrën në anëtarësimin e shteteve në organizata ndërkombëtare. Kosova vazhdon të insistoj meritueshëm të anëtarësohet në mekanizma ndërkombëtar, ndërsa Serbia e ka intensifikua luftën kundër procesit të anëtarësimit të vendit tonë në këto mekanizma. Çka bënë Bashkimi Evropianë përkitazi me luftën diplomatike të Serbisë kundër Kosovës në botë?! Një spektatore e heshtur!
Si rrjedhojë, Kosova ndërmerr masa reciprociteti për produktet me origjinë nga Serbia, BE brenda pak minutash del me deklaratë kundër kësaj mase, ndërsa Serbia trimërohet nga këto deklarata dhe forcon luftën diplomatike kundër Kosovës, dhe në të njëjtën kohë deklaron se nuk ka bisedime pa e tërheqë këtë masë prej 10% ndaj produkteve të tyre. Është padrejtësi kjo!
Shumë e respektuara Apostolova,
Ne kemi nevojë për përkrahje, në mënyrë që përpjekjet tona të parreshtura ta kenë një shënj të qartë që Bashkimi Evropian na mbështet në këto përpjrekje në ndërtimin e një shteti modern e funksional, ligjor e të përparuar. Evropa nuk duhet lejuar që respekti e gatishmëria jonë të jemi pjesë e saj, nga zhgënjimi të shndërrohet në urrejtje dhe zbehje e dëshirës për të qenë pjesë e kësaj familje të madhe popujsh e shtetesh.
Nëse ka drejtësi, atëherë duhet të ketë edhe trajtim të njëjtë dhe barazi në procesin integrues.
Për një gjë jam i sigurt, ndikimi rus në Ballkan, nuk zbehet duke ledhatuar njërën palë dhe duke e diskriminuar palën tjetër. Kosova është shtet evropian, madje në shumë segmente të jetës shoqërore, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të merren si model edhe nga shumë shtete evropiane me traditë.
Në asnjë shtet të BE-së pakicat nuk i gëzojnë të drejtat ashtu siç i gëzojnë në Kosovës. Në vendin tim, në shtetin më të ri këndej, shumica është e diskriminuar kundrejt pakicës, sidomos asaj serbe. Ma gjeni një shtet si Kosova ku bashkëjetesa dhe mirëkuptimi ndërmjet besimeve fetare, është e njëjtë si këtu. Nëse ka, janë të rralla ato shtete.
Pra, mundësojani qytetarëve tanë të lëvizin lirshëm. Nuk meritojmë të mbesim tutje në kafazin evropian. Jemi popull liridashës, prandaj e duam lirinë në të gjitha kuptimet e saj. Bëjeni!