Dhjetëra studentë, absolvent të mjekësisë së përgjithshme, bachelor të shkencave kompjuterike dhe ekonomisë, sportistë, punëtorë dhe veprimtarë nga mërgata, iu bashkuan sot Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan. Në prani të Kryetarit Albin Kurti, Kryetari i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan, Nevzad Isufi, së bashku me anëtaren e kryesisë dhe asambleisten Arbëreshë Kryeziun, uruan mirëseardhjen për anëtarët më të rinj në Gjilan duke nënvizuar se ky bashkim i përditshëm i qytetarëve me Lëvizjen po e përafron fitoren e 6 tetorit.
Pas anëtarësimeve, në tubimin e mbajtur me strukturat e gjera të organizatës në Gjilan, Kryetari Kurti tha se pesë javë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, nga dita e fitores aq shumë të nevojshme për qytetarët e Republikës. “Ndryshimi me datë 6 tetor do të jetë në formë referendumi ngase dalja do të jetë masive, vota e plotë dhe fitorja e madhe, tha ai duke shtuar se krejt çfarë na duhet tani në këto pesë javë është të punojmë që ta ushqejmë tutje këtë mbështetje për Lëvizjen”, tha ai.
Kryetari Kurti theksoi se bashkatdhetarët që nuk kanë nënshtetësi të Kosovës duhet të regjistrohen si votues deri më datë 10 shtator, kur është edhe afati i fundit për regjistrim. Edhe pa nënshtetësi këta qytetarë mund të votojnë përmes ndonjë dokumenti tjetër të Republikës, por këtë duhet ta bëjnë online. Ndërsa për bashkatdhetarët që kanë nënshtetësi të Kosovës ai tha se është e rëndësishme të vijnë në Kosovë në ditën e zgjedhjeve, ku, përveç se do të votonin, një ditë pas edhe do ta festonin fitoren e Lëvizjes.
Në lidhje me koalicionin, ai u shpreh se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë gjithçka çfarë është e mundshme për një bashkëpunim parazgjedhor dhe se tash i ka mbetur vetëm të fitojë në zgjedhje.
Pas këtij tubimi me struktura, Kryetari, Albin Kurti takoi edhe studentë nga fusha e kimisë, biologjisë dhe teknologjisë ushqimore me të cilët foli për rëndësinë e këtyre drejtimeve për ekonominë e vendit, si dhe për rëndësinë e ndërlidhjes së arsimit me ekonominë, që do të ndodhë me qeverisjen e re të Lëvizjes.