Kryetari i Lëvizjes “Vatra” në Gjilan, Kushtrim Kadriu mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky është qëndrimi i tij:
Ka ardhur koha që çështja e Kosovës Lindore të dal në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, duke vlerësuar se, si zgjidhje afatgjate është shkëmbimi i territoreve të tri komunave në Mitrovicën e veriut me tri komunat me shumicë shqiptare në Luginën e Preshevës. Është momenti i volitshëm që një herë e mirë të zgjidhet problemi në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, e ku nyje e problemit është Kosova Lindore, përkatësisht komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilat në rast se vazhdojnë të mbeten të pushtuara nga ana e Serbisë, siç janë tani, nuk do të ketë stabilitet dhe rehati në Ballkan, dhe si të tilla do të jenë një bombë me sahat ku nga çasti në çast do të mund të shpërthej një destabilitet për politikën dhe sigurinë e gjithë Ballkanit. Idetë e tilla për shkëmbim territoresh duhet të shtyhen nga politikëbërja kosovare si dhe ajo e faktorit ndërkombëtarë, nëse duan një regjion të qetë. Pasiqë që ka ardhur koha e zhvillimit të një jete të qetë për popujt e Ballkanit në të mirë të kalimit të problemeve ndërfqinjësore. Duhet të ndodhë shkëmbimi i territoreve me Serbinë, duke pas parasysh se Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, juridikisht janë në administrim serb, ndërsa, tri komunat me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore, janë të administruara me politikanë shqiptarë, por që janë më të prapambeturat në investim ekonomik dhe zhvillim nga qeveria Serbe Në të kundërtën, Kosova do ta humb edhe veriun e Mitrovicës edhe Kosovën Lindore.