Pas alarmit brengosës të helmimit masiv të një numri të madh qytetarësh, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje! Ismajl Kurteshi dhe dy këshilltarë komunal nga radhët e Lëvizjes në Komunën e Gjilanit, Nehat Osmani dhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni, të shqetësuar për shëndetin e tyre, sot gjatë orëve të paradites kanë vizituar repartin e Infektivës në Spitalin e Gjilanit, ku janë shtrirë 31 pacientë, pasi janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në njërin prejt restoranteve të Gjilanit.
Sipas drejtorit të Spitalit Rajonal të Gjilanit Nisret Hajrullahu, diku mbi 60 pacientë kanë kërkuar trajtim mjekësor, 28 prej të cilëve janë shtrirë mbrëmë në orët e natës , ndërkaq shefja e repartit të Infektivës doktoresha Myrvete Kurteshi, na ka njoftuar se sot gjatë orëve të mëngjesit janë lajmëruar edhe 3 pacientë të tjerë, ndërsa ka të tjerë që po trajtohen edhe në Kamenicë. Ajo tha se numri i pacientëve po shkon duke u rritë, pasi që pasojat e helmimeve me ushqim zakonisht shfaqen disa orë pas konsumimit të ushqimit.
Ismajl Kurteshi, Nehat Osmani dhe Arbëreshë Hyseni, kanë vizituar edhe pacientët, gjendja shëndetësore e të cilëve është jashtë rrezikut, por vazhdon të jetë e rëndë, ku sipas tyre, kemi kuptuar që ata kanë ngrënë iftar të premten, ndërsa tek dje kanë filluar ti kenë simptomat e para të helmimit, pasi që kishin ngrënë mishra të ndryshëm që servohen në restorantin “Garden” që gjendet ne periferi të qytetit të Gjilanit dhe që administrativisht i takon komunës së Artanës, si pasojë e decentralizimit në baza etnike.
Zyra për Informim e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, ka kontaktuar kryeshefin e Inspektoratit Sanitar në nivel vendi Ibrahim Tërshnjaku, i cili ka deklaruar se janë të njoftuar për rastin dhe i kanë ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj dhe sipas tij, restoranti për momentin është i mbyllur.
Përkundër faktit që rezultatet e analizave nuk kanë dalë akoma, dyshohet se helmimi ka ardhë si rezultat i cilësisë së dobët të mishit, problem ky me të cilin po ballafaqohen të gjithë qytetarët e Kosovës, si pasojë e importit të mishit të skaduar nga jashtë. Por, pavarësisht konfiskimeve të shumta nëpër qytete të Kosovës, në Gjilan deri më sot, nuk kemi informatë zyrtare se është konfiskuar sasi e mishit me afat të skaduar, edhepse në treg i kemi të njejtit furnitorë të mishit, që i furnizojnë qendrat tregtare.
Edhe njëherë po dëshmohet neglizhenca e skajshme e organeve komunale ndaj shëndetit të qytetarëve dhe në përgjithësi ndaj interesave dhe kërkesave të qytetarëve të vet.
Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan : Helmimet masive jashtë kontrollit institucional
Ndani këtë artikull