Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Sholtes, para disa ditësh ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me mundësinë e dështimit të liberalizimit të vizave këtë vit për kosovarët. Ai ka thënë se nëse ky proces nuk arrihet të përfundojë këtë vit, do ketë mundësi për destabilizim të vendit.
Lidhur me një destabilizim të mundshëm pozitë e opozitë dhe analistë të ndryshëm, lën fajtorë politikën kosovare me institucionet e saj, si dhe Bashkimi Europian.
Analisti Artan Murati duke folur për Gazetën Metro nuk e ka përjashtuar mundësinë për një destabilizim potencial të vendit , pasi siç thotë ai, kemi të bëjmë me një proces të tejzgjatur.
‘Ndonëse nuk do të mund të përjashtohej një destabilizim potencial, meqenëse ky proces është tejzgjatur, megjithatë konsideroj që një gjë e tillë do të duhej të parandalohej me çdo kusht, sepse do të ndikonte edhe më tepër në vonesa të mëtutjeshme. BE duhet ta ketë të qartë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk është më një favor, por një nevojë e kohës, ka thënë ai.
Murati tutje ka thënë që, përkundër qëllimit të mirë që eurodeputeti Sholtes ka për të përshpejtuar procesin e liberalizimit, duke lobuar në instanca të BE’së, duhet pasur kujdes me deklarata të cilat mund të ndikojnë në këtë proces.
Megjithatë, fajtor kryesor për gjithë këtë proces Murati i sheh institucionet e vendit dhe skenën politike kosovare, pasiqë siç thotë ai, kanë dështuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim në periudha të mëhershme kur edhe vendimmarrja në BE do të ishte më e lehtë.
‘Tani BE është në prag të zgjedhjeve, dhe është vështirë e besueshme që çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mund të trajtohet me prioritet,‘ ka thënë ai.
Ndërkohë, ndryshe nga Murati, analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë se nëse liberalizimi i vizave nuk do ndodhte këtë viti, zhgënjimi i qytetarëve do ishte i madh por jo deri në destabilizim të vendit.
‘Ata nuk e fajësojnë vetëveten e as udhëheqjen qeverisëse të Kosovës por pikërisht Bashkimin Evropian dhe politikat e saja të zgjerimit dhe qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës.
Zhgënjimi shumë i madh do të nxiste pikëpamjet anti BE duke kërkuar alternativa për të mos mbetur të izoluar si popull dhe si shtet, pra duke u orientuar kah Turqia si fuqi rajonale ose duke bërë marrëveshje bilaterale me nji vargë shtetesh për heqjen e regjimit të vizave,’ është shprehur Tahiri.
Gjithashtu, sipas Tahirit në rast të mos liberalizimit të vizave, do forcoheshin lidhjet e Kosovës me Shqipërinë, dhe synimi i bashkimit kombëtar.
‘Nëse Kosova arrin marrëveshje speciale me Gjermaninë edhe për viza pune edhe vizite jasht Shengenit kjo do të ishte një arritje e madhe që do të orientonte drejtë qytetarët duke hapur perspektivën evropiane’, ka përfunduar ai.
Nënkryetari i PSD’së, Visar Ymeri ka thënë për Gazetën Metro se një lëvizje e tillë e penguar, përveç se padrejtësi, e pengon edhe komunikimin e ndërveprimin shoqëror që është parakusht i integrimit.
Ai konsideron se vota për liberalizim të vizave është votë për ngritjen e nivelit të lirisë, dhe krijimin e mundësive të reja për emancipim e edukim, por njëherit ka të bëjë edhe me kredibilitetin e BE’së.
Kështu, sipas tij, nëse Komisioni Evropian i vlerëson kriteret të jenë mjaftueshëm të përmbushur atëherë vendet anëtare do të duhej ta përcjellin këtë vlerësim
‘Vota për liberalizim të vizave është votë për ngritjen e nivelit të lirisë, dhe krijimin e mundësive të reja për emancipim e edukim. Por ka të bëjë edhe me kredibilitetin e BE-së. Nëse Komisioni Evropian i vlerëson kriteret të jenë mjaftueshëm të përmbushur atëherë vendet anëtare do të duhej ta përcjellin këtë vlerësim,’ u shpreh ai.
Edhe Ahmet Isufi nga koalicioni qeverisës duke folur për Metron, shprehet se zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës në drejtim të BE’së, egziston, pasi siç thotë ai kriteret e përcaktuara janë plotësuar dhe ende nuk ka asnjë reagim nga ana e tyre.
‘Ne nuk e komentojmë deklaratën e Sholtes, por konsiderojmë se Kosova meriton të ketë liberalizim të vizave sa më shpejt, sepse është vendi i vetëm izoluar.
Egziston zhgënjimi i Kosovës në drejtim të Bashkimit Europian, pasi kriteret e përcaktuara janë plotësuar dhe nuk ka ende asnjë reagim’, ka thënë Isufi.
Ndryshe, Sholtes ka pranuar se nuk ka konsensus te shtetet anëtare të BE’së për atë se a duhet të liberalizohen vizat apo jo për Kosovën.
Por, sipas atyre lajmeve që po qarkullojnë, Franca dhe Holanda flitet se janë kundër një vendimi pozitiv për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, Gjermania e Italia thuhet se janë skeptike në këtë raport, për faktin se po i druhen një reagimi të popullsisë së tyre kundër politikave lehtësuese të lëvizjes së lirë, migrantëve nga Ballkani dhe refugjatëve nga Siria./Gazetametro.net