Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, gjatë vizitës së fundit që zhvilloi në Prishtinë, të hënën që lamë pas, ua ka bërë me dije kosovarëve se me shumë gjasë nuk do të mundin të lëvizin pa viza në Zonën Schengen deri në vitin 2020.
Derisa të fillojë lëvizja pa viza në BE, përkatësisht në fillim të vitit 2020, do të bëhen gati 20 muaj prejse Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën pas përmbushjes së të gjitha kritereve të përcaktuara për vizat.
KE-ja ka dhënë rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për Kosovën më 18 korrik të këtij viti. Edhe Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit, ndërsa çështja ka ngecur te Këshilli i Ministrave të BE-së, i cili as që e ka futur në agjendë për takimin e kësaj te premte çështjen e liberalizimit të vizave për vendin.
Por ekspertët e integrimeve evropiane kanë vlerësuar për gazetën “Zëri” se Gjeorgjia dhe Ukraina, dy vendet e fundit që e kanë fituar liberalizimin e vizave në BE, kanë qenë më “të shpejta” se Kosova.