As në Samitin e Berlinit Kosova nuk ka marrë sinjale të qarta për liberalizimin e vizave.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e shprehu këtë zhgënjim duke thënë para gazetarëve se kishte paqartësi rreth këtij procesi dhe duke e quajtur diskriminim e ndëshkim për Kosovën, shkruan lajmi.net.“Deutsche Welle”, është shprehur se Macron është kundër një lëvizje të lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës dhe kjo lidhet me Shqipërinë.
Sipas burimeve të Deutsche Welle-s, presidenti i Francës, Emanuel Macron kishte argumentuar mosmiratimin e heqjes së vizave për Kosovën me përvojën e keqe të Francës pas liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë ku u shtua numri i emigrantëve të parregullt.Lajmi.net ka kontaktuar me profesorin universitar, Arben Fetoshi për të diskutuar në lidhje me precedanin të cilin presidenti francez po e përdorë për të arsyetuar mos-heqjen e vizave për Kosovën.
Fetoshi tha se qëndrimi i Macronit duhet parë në kontekstin e klimës zgjedhore në BE, duke shtuar se po shihet qartë se çështja e vizave po përdoret edhe për presion politik, duke konkluduar se kjo mund të jetë edhe se po përdoret për presion politik ndaj Kosovës.
“Mendoj se qëndrimi i presidentit Macron duhet parë në kontekst të klimës zgjedhore në BE, megjithëse duket qartë se çështja e vizave po përdoret edhe për presion politik”, tha Fetoshi.
Më tutje ai vuri në dukje frikën nga forcat ekstremiste që mund të keqpërdornin vendimin për Kosovën, ai tha se qëndrimi i shteteve anëtare do të mund të dihet pas zgjedhjeve të majit.“Duke pasur parasysh frikën nga forcat ekstremiste që do të mund ta keqpërdornin vendimin për Kosovën, qëndrimi real i shteteve anëtare do të mund të dihet vetëm pas zgjedhjeve të majit, përkatësisht gjatë korrikut, meqenëse më 1 korrik në Paris do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë për konfliktin Kosovë-Serbi”, tha Fetoshi.
Fetoshi ka vënë në dukje se vendimi për liberalizimin e vizave mund të jetë edhe ‘monedhë kusuritje’ për dialogun Kosovë – Serbi dhe për taksën ndaj mallrave serbe apo marrëveshjen përfundimtare.“Vendimi për liberalizimin mund të jetë monedhë kusuritje për angazhimet në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si në raport me tarifën ndaj mallrave serbe, apo edhe me marrëveshjen përfundimtare në rast se do të shtohet presioni ndërkombëtar mbi palët për të mos lejuar zvarritje të mëtejshme”, tha Fetoshi në fund për lajmi.net.
Takimi i Berlinit u përshkrua si “pajtim për të kërkuar pajtimin”. Përfundimi i vetëm i qartë i tij ishte akordi për mbajtjen e një samiti të ri të të njëjtit format, më 1 korrik në Paris.Por ndërsa fillimisht nuk u pohua qartë që palët të kenë pranuar vazhdimin e dialogut, “Euractiv” shkruan se Kosova dhe Serbia u pajtuan të rinisin bisedimet pas paralajmërimeve të udhëheqësve të Francës dhe Gjermanisë se, “armiqtë e vjetër duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre”.