Prof. Dr. Behlul Brestovci
“ Dosja: Ideologjia serbe e gjenocidit – Analizë bazuar në burimet serbe dhe ndërkombëtare”
Libri “Dosja – ideologjia serbe e gjenocidit – Analizë nga burime serbe dhe ndërkombëtare” e autorit Fadil Kajazit, është një dokumentar i veçantë që pasqyron politikën agresive serbe në drejtim të shqiptarëve. Në brendësi të kësaj “dosje” autori ka përfshi të gjithë historinë e raporteve të serbëve me shqiptarët, që nga atakimet e tyre të para, që nga koha e dyndjes së sllavëve në mesjetën e hershme, e deri në ditët tona. Prandaj, ky punim, për shkak të mënyrës së si është realizuar, stilit të të shkruarit, ballafaqimit dhe analizës së fakteve, përpos që duhet të botohet, duhet edhe të përkthehet në gjuhët e huaja. Arsyet janë këto:
Së pari, materia e lëndës është një analizë e hollësishme se si shkenca serbe, kisha dhe politika, janë munduar të falsifikojnë historinë me qëllim të kontestimit të autoktonisë e shqiptarëve në Ballkan, dhe mbi bazë të këtij kontestimi, për të legjitimuar gjenocidin. Në këtë çështje, autori ja ka dalur që kryesisht përmes burimeve serbe të dokumentoj vazhdimësinë jetësore të shqiptarëve nga trashëgimia ilire – dardane, ku ka ofruar fakte arkeologjike e linguistike, të cilat janë eksploruar dhe pranuar nga vet shkenca serbe. Gjithashtu, nga krahasimi dhe analiza, autori ja ka dal që t’i paraqes dy anët e fytyrës së shkencëtarëve serbe: atë të shkencëtarit të mirëfilltë, dhe atë të vënies në shërbim të gjenocidit kur kanë shkruar për të njëjtën çështje;
Ky dokumentim dhe analizë, fiton relevancë të pa kontestueshme, për faktin se është i bazuar në “Burime serbe dhe ndërkombëtare”. Autori për shtjellimin e kësaj teme, shfrytëzon 189 burime, kryesisht literaturë burimore serbe, jugosllave dhe ndërkombëtare, nga të cilat janë marrë 937 citate. Burimet e autorëve shqiptarë janë simbolike dhe janë të përdorura vetëm ato që janë si dëshmi autentike.
Një trajtesë specifike që e bënë këtë punim të veçantë, është dokumentimi përmes analizës së burimeve serbe dhe atyre ndërkombëtare se është një farsë e ashtuquajtura “Shpërngulja e madhe serbe” e vitit 1690, dhe se këtë ngjarje, shkenca serbe, kisha dhe politika e kanë shfrytëzuar në funksion të gjenocidit kundër shqiptarëve. Duke shtjelluar këtë temë, autori njëkohësisht dokumenton përmes figurës së Pjetër Bogdanit kohezionin pro qytetërimit perëndimor të shqiptarëve, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut;
Është i veçantë dhe domethënës dokumentimi i procesit të krijimit nga serbet të sistemit të ideve, që e shndërrojnë në ideologji gjenocidin dhe e bëri atë fenomen shoqëror serb. Autori kësaj çështje i kushton në analizë të veçantë, fillimisht dukeprezantuar një listë prej 12 programeve autentike, që në periudhën 1844 – 1986, që serbët i hartuan për të shfarosur etnitë joserbe me të cilat kufizoheshin, por që kryesisht ju dedikoheshin shqiptarëve. Nga shtjellimi i temës, ai e fakton se “serbët janë kampionë në hartimin e programeve me qëllim të zhdukjes së grupeve etnike e religjioze joserbe – joortodokse, e të cilat si objektiv kanë gjermanët, hungarezët, kroatët, boshnjakët, por më së shumti të fokusuara janë kundër shqiptarëve”. Gjithashtu, me këtë rast vihet në spikamë veçantia e procesit të hartimit të këtyre programe: “propozim për gjenocid”, të cilat janë unike në botë, nga se hartohen nga elitat intelektuale serbe, nga “Klubi Kulturorë Serb”, nga Akademia e Shkencës Serbe, dhe i propozohen politikës për t’i ekzekutuar.
Kishës Ortodokse Serbe, gjithashtu i kushtohet një kapitull i veçantë, ku shtjellohet roli i saj si pjesë e trinomit: kisha – elitat intelektuale – politika, e cila inspiroi, frymëzoi dhe morri pjesë në gjenocid. Gjithnjë përmes dokumentimit nga burimet serbe, autori i ka zhveshur këtij institucioni vleren e fesë ortodokse, duke e lënë lakuriq si një institucion shpirtëror në funksion të politikës – gjenocidit. Në këtë kapitull është me interes mënyra se si autori e paraqet zhvillimin historik të kishës serbe që nga themeluesi i saj Stefan Nemanja, bërjen e saj autoqefale nga Rasko Nemanja, mbijetesën nën Perandorinë Osmane, krijimin e mitit për Lazari, legjitimimin vrasjes së të tjerëve etj.
Në pjesën “Realizimi i Gjenocidit 1844 – 1967”, autori përmes dokumenteve burimore, i ka shndërruar në kategori historike katër fushata gjenocidi ndaj shqiptarëve:
– Spastrimin etnik të regjioneve të Toplicës, Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit, Vranjës 1878-1884;
– Spastrimin etnik gjatë luftërave ballkanike 1912 – 1913;
– Spastrimin etnik dhe kolonizimin me serb të trojeve shqiptare 1918 – 1941;
– Spastrimin etnik në të ashtuquajturën “Koha e Rankoviqit” 1945 – 1967;
Në këtë pjesë, përpos dokumentimit se gjenocidi ka qenë i planifikuar dhe përkrahur nga elitat intelektuale dhe kisha serbe, gjithashtu është dokumentuar se ai është realizuar në mënyrë sistematike nga shteti serb. Në këtë kuadër, autori, bazuar në statistika serbe ka dokumentuar se në periudhën kohore 1878 -1967, serbët kanë vrarë dhe dëbuar nga trojet e tyre mbi 700.000 shqiptarë.
Një vend të rëndësishëm në këtë punim zë edhe periudha e pas vitit 1981 deri 1999, ku Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë me 1986, hatroi Memorandumin, si një projekt ku sintetizohen programet serbe për “Serbinë Homogjene”. Në këtë pjesë autori përshkruan simbiozën e veprimit antishqiptarë të dy ideologjive armiqësore, të asaj komuniste dhe të kishës, por, të cilat, në raport me fushatën antishqiptare ishin në një unison. Autori në këtë pjesë, përmes shembujve konkret shpjegon teknologjinë e shndërrimit të gënjeshtrës në fakt historik, nga ana e shkencëtarëve serb, me qëllim të legjitimimit të gjenocidit. Në këtë kuadër, ai i kushton një analizë të veçantë përmbledhjes “Shqiptarët ilirët e rrejshëm nga Kakukazi”, prodhim i vitit 2007, i Akademisë së Shkencave Serbe, përmes së cilitsynohet që të mohohet “shkencërisht” prejardhja e shqiptarëve nga trungu etnik ilir – dardan, me qëllim që prania e shqiptarëve në hapësirat ballkanike të paraqitet si ardhacakë, e krejt kjo, që në një të ardhme të ketë bazë shkencore një gjenocid i radhës.
Autori ka qasje të veçantë në paraqitjen dhe shtjellimin e materialit tejet të ndjeshëm, duke i kursyer maksimalisht emocionet vetanake, arrin të pasqyrojë drejtë, thuktë dhe tejet realisht planet gjenocidale të shtetit serb si dhe ngjarjet dhe ndodhitë tronditëse të popullit tonë.
Duhet theksuar se mënyra e parashtrimit të materialit, terminologjia e përzgjedhur, stili dhe struktura e gjuhës së përdorur e lehtësojnë leximin e këtij teksti shumë domethënës të kësaj periudhe të historisë së popullit tonë.