Në Gjilan është promovuar libri “Të ushqyerit e shëndetshëm është jetë” i autores Ajshe Leka, botim i Shtëpisë Botuese “Rozafa” nga Prishtina.
Kequshqyerja është bërë sot shkaktari kryesor i sëmundjeve të ndryshme si dhe vdekjeve të parakohshme, gjithandej botës. Nga ky rrezik kërcënohen të gjithë ata që nuk dinë si të ushqehen.Mungesa e informacionit çon deri te gabimet në të ushqyer.
Zyrafete Shala, krijuese, ka thënë se “Të ushqyerit e shëndetshëm…” është një libër jo i zakonshëm, një libër që i vë themelet e sigurta të një fushe të palëruar dhe të pakultivuar më parë tek ne.
Qysh në shekullin XVIII, disa shkencëtarë nisën të shfaqnin idetë e tyre rreth rolit që ka ushqimi në mirëqenien e organizmit, ide këto që gradualisht u formësuan dhe i vunë kornizat e një shkence të veçantë, me të ashtuquajturin “revolucioni kimik” në Francë, në fund të shekullit të XVIII. Zbulimet e kësaj kohe u përpunuan dhe u avancuan në vitet e mëvonshme, për t’i vënë bazat e shkencës moderne të të ushqyerit në vitin 1926. Në dekadat e fundit, shkenca e nutricionit ka shënuar zhvillim të hovshëm në botë dhe tani ka arritur edhe tek ne.
Padyshim se në historikun e zhvillimit të kësaj shkence tek ne, emri i autores Ajshe Leka do të ketë një vend të rëndësishëm dhe të merituar. Për më tepër, Ajshe Leka është fituese e çmimit për letërsi shkencore në dobi të njeriut “Betim Muço” në SHBA (2018), ka thënë Shala.
Ushqimi i shëndetshëm dhe i duhur është vetë jeta
Duke i bërë një vlerësim librit, recensentëtValdet Hashani e SkenderTelaku, profesorë universitarë, nënvizojnë faktin se çdo njëri prej nesh, përmes dietës tenton të ndryshojë bilancin e energjisë dhe me këtë rast tenton të rritë ose zvogëlojë sasinë e yndyrës së ruajtur nga trupi, varësisht nga nevojat dhe dëshirat personale. Këto dieta duhet të jenë të shëndetshme, duke pasur gjithnjë parasysh që një mënyrë e tillë e dietës, qoftë personale apo më gjerë, të mos sjellë deri te prishja e ekuilibrave minerale dhe të vitaminave në organizëm, me çka do të krijoheshin probleme shëndetësore, nganjëherë edhe vështirë të riparueshme.
Sigurimi i ekuilibrit të vitaminave, mineraleve dhe materieve ushqyese të tjera, për çdo person është jetike, përfshi edhe personat që duan t`i nënshtrohen një diete të caktuar, andaj marrja e këtij vendimi pa u konsultuar me profesionistët e këtij lëmi, paraqet risk në vete nga pacienti që e ndërmerr një vendim të tillë, por paraqet edhe shkelje etike dhe ligjore, nëse rekomandohet nga personat e paautorizuar dhe jo kompetentë me këtë lëmi.
Ky libër, në fakt, praqet hapat e parë në lëmin e nutricionit dhe dietologjisë në Kosovë.
Përvojat e vendeve të zhvilluara perëndimore, për sa i përket lëmit të nutricionit dhe dietologjisë janë bazë e mirë për hulumtime dhe ndërlidhje të ushqimit të kohëve moderne dhe atij tradicional.
Libri është punuar me profesionalizëm, duke shfrytëzuar metodologjitë më të reja shkencore, duke shmangur paragjykimet (biaset), keqkuptimet e moskuptimet, duke pasur edhe shënjestrat (target grupet) e saj, përfshirë lexuesin e përditshëm, klientët, por edhe profesionistët e këtij lëmi.
Këshillat e dhëna janë shumë profesionale dhe plasohen fuqishëm në momentet e duhura për lexuesin.
Sigurisht se autorja Ajshe Leka nuk do të ndalet me kaq, meqë ajo ka njohuri dhe kapacitet intelektual që të begatojë lëmin e nutricionit dhe dietologjisë me libra dhe hulumtime të reja. Përdorimi i data-bazës së klientëve të saj, takimet me ta dhe rishqyrtimet kolegjiale të grupeve të interesit, do e begatojnë dhe avancojnë këtë lëmi edhe te ne në Kosovë dhe jo vetëm.
Ky libër, në fakt, i kalon kufijtë e vendit tonë, marrë parasysh njohuritë, gjithë përfshirjen dhe qasjen ndaj kësaj teme, kanë nënvizuar Hashani e Telaku
Kujdesi ndaj ushqimit është kujdes ndaj shëndetit
Kurse Linda Çarkaxhiu, diabetologe nënvizon se libri i autores Ajshe Leka “Te ushqyerit e shëndetshëm është jetë” është një plotësim i njohurive të deritanishme për rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm në jetën e njeriut dhe për seriozitetin që duhet të kemi në përgjithësi për ushqimin.
Në këtë libër, autorja, duke u bazuar në përvojat e veta në këtë lëmi si dhe literaturën bashkëkohore ekzistuese, bënë përzgjedhjen adekuate të llojeve të ushqimeve dhe përshkrimin e vlerave ushqyese të tyre, që janë të mbështetura mirë edhe në aspektin shkencor.
Libri është punuar në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme nga të gjitha kategoritë, prandaj nga ky libër do të mund të përfitojnë një gamë e gjerë njerëzish të shëndoshë, të sëmurë, njerëzit me nevoja të veçanta, madje edhe personeli mjekësor.
Prapa këtij libri qëndron një punë e mundimshme, voluminoze e autores, duke hulumtuar në literaturë për të dhënat më të reja dhe duke i ndërthurur ato me përvojat e veta, prandaj me të drejtë konsideroj se ky libër do të plotësojë literaturën shqipe të këtij zhanri, e cila edhe ashtu është e varfër, ka nënvizuar Çarkaxhiu.
Ndërkaq, autorja e librit, Ajshe Leka ka premtuar se shumë shpejt do të dalë libri i dytë i saj për të ushqyerit e shëndetshëm, ku është përqendruar te pasojat nga kequshqyerja.