Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e ka kritikuar qasjen e kryeministrit Albin Kurti, i cili në zgjedhjet lokale mbështeti Partinë për Veprim Demokratik.
Ministri i cili ka prejardhje nga Lugina, tha se gabim ka qenë animi i qeverisë së Kosovës për një parti politike për zgjedhjet në Luginë të Preshevës.
“Nuk po mund të rri neutral në këtë pikë pasi që jam me origjinë nga Presheva, pavarësisht orientimit dhe simpatisë personale, po mendoj se kjo ka qenë gabim dhe veprim i gabueshëm”, tha ministri Aliu në RTK.
Ai po ashtu tha se ka qenë edhe gabim që kryeministri Kurti ka marrë pjesë në një tubim elektoral me një parti politike të caktuar nga Lugina e Preshevës, pasi që siç shprehet ai, kryeministri Kurti duhet të jetë përbashkues.
Madje, sipas tij pjesëmarrja në tubim dhe mbështetja e një partie tjetër ishte një gabim.
“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, theksoi ai.