Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha gjatë ditës së sotme ka dhënë një afat të ri se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave. Sipas saj, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm pas mbajtjes së zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, gjë e cila do të ndodhë në maj të këtij viti.Por, njohësi i integrimeve evropiane, Taulant Kryeziu tha për “Gazeta Blic”, se liderët kosovar duhet të jenë të përgjegjshëm sa ju përket vendosjes së afateve se kur do të ndodhë liberalizimi sepse vendimmarrja iu takon vendeve anëtarë të Bashkimit Evropian.
“Nuk është përgjegjësi e lidershipit institucional vendosja e afateve për një vendimmarrje që i takon vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Kam shpresuar se deri tani ata e kanë marrë një mësim që të mos luajnë me afate dhe të mos i rrisin shpresat të qytetarët sepse vetëm po shkaktojnë stres tek ta dhe nuk po krijojnë asgjë pozitive. Për pak vota ata po luajnë me emocione të qytetarëve”, tha Kryeziu.
Mes tjerash, ai tha që liberalizimi i vizave është një proces shumë i ndjeshëm për qytetarët e Kosovës.
“Ata duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe të mos luajnë më afate me një proces kaq të ndjeshëm për qytetarët tanë. Janë edhe gjashtë hapa procedural deri tek lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha ai.
Ndryshe në një konferencë për medie, gjatë ditës ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha tha se Kosova është duke pritur që në Parlamentin Evropian (PE) të përfundojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mund të lëvizet përpara me një vendimmarrje, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.“Po shpresojmë dhe po kërkojmë që pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian të krijohet një momentum i ri dhe në takimin e qershorit të Këshillit të ministrave (të Bashkimit Evropian) të kemi një vendim”, tha Hoxha.
Zgjedhjet në Parlamentin Evropian do të mbahen gjatë muajit maj./Gazeta Blic/