Liderët politikë të vendit kanë përshëndetur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria, vend në Lindjen e Mesme.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas njohjes së Kosovës nga Siria, ka deklaruar se çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe rritjes së rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur mirënjohje “për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces.
“Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë,” ka shkruar Krasniqi.
Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar për njohjen nga Siria, duke e cilësuar këtë si një lajm që dëshmon se bashkëpunimi me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme.
“Njohja e Kosovës nga Siria është lajm që tregon se bashkëpunimi i ngushtë me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme. Vlerësoj punën e Presidentes në këtë sukses për afirmimin e shtetit tonë, duke u bërë kështu 120 shtete që e njohin Kosovën që nga shpallja e pavarësisë. Kemi shumë punë përpara, mirëpo Kosova është këtu për të qëndruar me botën demokratike, në një frymë me aleancat tona,” ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përshëndetur njohjen e Sirisë si një zhvillim pozitiv për vendin.
“Njohja e Sirisë është një lajm i mirë për Kosovën. Gjithmonë kam besuar se Kosova duhet të rreshtohet në mbështetje të kauzave të drejta, dhe e tillë ishte edhe ajo e Sirisë. Që nga 15 marsi 2011 kam mbështetur opozitën siriane për ta larguar regjimin brutal të Asadit. Më 26 prill 2012 kam pritur në zyrë përfaqësues të opozitës siriane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, në Prishtinë. Kam mbështetur luftën e tyre kundër regjimit të Asadit dhe kam bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake, duke botuar një analizë në Foreign Policy. Kam marrë pjesë në takimet e ‘Miqve të Sirisë’ që nga takimi i parë në Paris, në vitin 2012, dhe për vite me radhë. Kur Asadi u largua në dhjetor të vitit 2024, takova personalisht, në pranverën e vitit 2025, ministra të Qeverisë së re siriane. Sot i gëzohem shumë këtij lajmi, ashtu siç gëzohen shqiptarët që jetojnë në Ballkan, por edhe ata në Damask e në Siri, të cilët kanë jetuar aty për shekuj me radhë,” ka shkruar Hoxhaj në Facebook.









