Gjatë konsultimeve publike janë shtruar një numër i madh i çështjeve, si: kartoni i gjelbër, mësimi i gjuhës shqipe, siguria e investimeve, funksionimi i qendrave kulturore, të gjitha këto të parapara në Ligjin e ri të Diasporës.
Ministria e Diasporës së Kosovës njofton se gjatë ditëve të fundit kanë diskutuar dhe kanë marrë mendime të ndryshme nga bashkatdhetarët për Ligjin e Diasporës.
“Bashkatdhetarë të shumtë kanë qenë prezentë në Francë, Suedi, Zvicër, Kroaci, Turqi në konsultimet publike të organizuara nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike për Projektligjin e Diasporës. Këto konsultime publike, ku të pranishëm kanë qenë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës me ftesë të ministrisë nga partitë në pushtet dhe ato opozitare, kanë për qëllim dëgjimin e sugjerimeve të bashkatdhetarëve tanë për Projektligjin e Diasporës, i cili planifikohet të miratohet deri në fund të këtij viti dhe ka për qëllim të rregullojë edhe më mirë marrëdhënien ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe diasporës sonë”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.