Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, me një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar rreth vendimit të djeshëm të Avokatit të Popullit i cili e dërgoi Ligjin e Pagave në Gjykatë Kushtetuese.
Haxhiu tha se institucioni i cili mbron të drejtat e njeriut në vend, ia hoqi “maskën” mazhorancës parlamentare dhe qeveritare aktuale.
Ai tha se qindra ankesa te Avokati i Popullit për këtë ligj, janë dëshmi se kjo shumicë parlamentare është e “padijshme” dhe e “papërgjegjshme”.
Deputeti i PDK tha se shpreson që pas vendimit të Kushtetueses, deputetët të bëjnë ligje për qytetarët e jo për hatër të “shefit”.
“Dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit, ua hoqi maskën Qeverisë dhe Grupit Parlamentar të LVV-së. 104 ankesa të dorëzuara nga subjekte të ndryshme të sektorit publik te Avokati i popullit tregojnë pakënaqësinë e nëpunësve publik me Ligjin e Pagave të miratuar nga kjo mazhorancë e pa dijshme dhe e papërgjegjëshme. Ankesat janë kryesisht për shkak të trajtimit jo adekuat, jo të barabartë, ulje të koeficientit, zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave etj. Sipas Avokatit të Popullit procesi i miratimit të Ligjit të Pagave nuk ka qenë transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik. Ligji nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe as me frymën e Aktgjykimit KO219/19 të Gjykatës Kushtetuese. Shpresoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të jetë i shpejtë dhe i drejtë për të eleminuar pabarazinë dhe padrejtësitë. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave deputetët e Kuvendit duhet të reflektojnë dhe të miratojnë ligje për interesa të qyetarëve të vendit dhe jo për interesa të politikës ditore për dëshirën e “shefit”. Pushteti gaboi që injoroi amandamentet tona në Ligjin e Pagave dhe kërkesat e sindikatave sepse do të eleminoheshin me kohë padrejtësitë dhe pabarazitë”, ka shkruar ai.