Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Në një reagim publik, BE-ja ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Sipas BE-së, shqetësimet lidhen veçanërisht me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe sigurimin e llogaridhënies efektive.
Zyra e BE-së ka ngritur gjithashtu shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve.
BE-ja ka bërë të ditur se, që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ka qenë e angazhuar në komunikimin e shqetësimeve dhe pritjeve të saj me autoritetet kosovare.
Në këtë drejtim, ka theksuar nevojën për konsultime paraprake para miratimit të çfarëdo ndryshimi, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.










