Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka zbuluar detaje nga takimi i tij me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, dhe ka folur për marrëveshjen që ata arritën për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Limaj theksoi se marrëveshja ishte arritur natën para seancës ku do të propozohej emri për këtë post.
Pavarësisht se, sipas Limajt, ata kishin pasur një marrëveshje xhentëlmenësh për këtë pozicion, përfshirë një dakordim gojor, seanca e caktuar kishte dështuar të kalonte dhe kjo kishte ndikuar në bllokimin e konstituimit të Kuvendit, ku ishte propozuar emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
“[Kur keni kërkuar partneritet në kuvend, për postin e kryeparlamentarit?], Sigurisht, Kurti ka pas nevojë me diskutu, njëjtë edhe unë. Të nesërmen jemi takuar vetëm ne të dy në kryeministri…Kemi pasur një marrëveshje xhentellmene, gojore. Jemi pajtuar, ka mbetur që ai me shku me propozu tek organet e veta, partnerëve të vetë edhe unë organeve të mija. Takimi është kryer në 11 në mbrëmje, takimi ka filluar në ora 8 ose 9 në mbrëmje. Marrëveshje me shkrim nuk kemi pas, vetëm dakordim gojor. E kemi cakërruar këtë marrëveshje me ujë. Jemi dakorduar, si marrëveshje mes xhentellmenëve. [Marrëveshja ka qenë që të nesërmen ju të votoheni si kryetar i kuvendit?] – Po marrëveshja kështu ka qenë. Unë i thash Kurtit nuk jam i interesuar për qeveri, nëse donë partneritet është kjo, nëse i donë numrat”, tha Limaj në Rubikon.