Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e ka quajtur emocion të veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit të tij nga Tribunali i Hagës, t’i vizitojë bashkëluftëtarët e tij që ndodhen në objektin pas fotografisë së tij.
Madje, ai ka thënë, se asnjëherë nuk e ka menduar që do të kthehet aty për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse ka qenë i bindur që është luftëtari i fundit që futët aty dhe që dal nga kjo ndërtese.
“Emocion i veçantë që pikërisht në 17-vjetorin e lirimit tim nga Tribunali i Hagës t’i vizitoj bashkëluftëtarët e mi që ndodhen në objektin pas meje. Asnjëherë nuk e kam menduar që do të kthehem këtu për t’i vizituar krerët e UÇK-së, sepse kam qenë i bindur që jam luftëtari i fundit që futëm këtu dhe që dal nga kjo ndërtese”, ka shkruar Fatmir Limaj gjatë vizitës së tij të bërë krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka thënë se bashkëluftëtarët të cilët do t’i vizitoj sot e kanë të qartë që aty nuk janë për çështje personale, por për të zhvilluar betejën e fundit për pavarësinë e Kosovës.
“Një betejë ndryshe, me mjete të tjera, me mjete ligjore!. Ata janë të vetëdijshëm që kjo betejë është për historinë e Kosovës. Pikërisht, këtu po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo vetëm për ne që sot jetojmë, por për gjeneratat që do të vijnë edhe pas 100 viteve”, tha Limaj.
Kështu që, siç shprehet ai, beteja në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, as e Kadri Veselit, as e Rexhep Selimit dhe të tjerëve, por përmes tyre, është betejë për Kosovën!
“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë, prandaj epilogu i kësaj beteje nuk mund të jetë ndryshe pos fitore!”, tha Fatmir Limaj.