Dy kandidatët e LDK-së për deputetë nga Gjilani, Lirije Kajtazi dhe Faton Bislimi, pretendojnë se ka patur parregullsi gjatë numërimit të votave dhe se me dallavere janë përmbysur rezultatet në dobi të kandidatëve të tjerë.
Kështu në një postim të sajin në facebook, Lirije Kajtazi, kandidate e LDK-së për deputete ka shkruar se me modelin që tashmë po hetohet të kandidates së AAK-së, është përmbysur edhe rezultati i saj në minutat e fundit, në qendrën që ajo e ka quajtur Qendër për Fabrikimin e Rezultateve (bëhet fjalë për Qendrën e Numërimit të Rezultateve QNR).
“Të nderuar qytetarë, unë po vazhdoj betejën time, jo për një mandat në Kuvend, por angazhimin tim të përjetshëm në luftën për DREJTËSI dhe DEMOKRACI”, ka shkruar Lirije Kajtazi.
Se ka patur parregullsi beson edhe kandidati tjetër i LDK-së, Faton Bislimi, i cili doli që në Gjilan të jetë kandidati më i votuar i LDK-së, por që nuk fitoi ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ai ka shkruar:
“Me 4 mars, unë kam folur për inxhinjering elektoral, dhe kjo u faktua dje me skandalin e blerjes së votave në QNR për kandidaten e AAK-së. Ky skandal komprimiton skajshmërisht procesin zgjedhor. Ky model i vjedhjes së vullnetit të sovranit ka prekë edhe shumë kandidatë tjerë. Të paktën që do duhej të bënte PZAP sot është të dërgonte në rinumërim komplet votat me kusht dhe ato të diasporës (të cilat ekskluzivisht janë numëruar në QNR) dhe secilën kuti tjetër ku ka një fije dyshimi për manipulim. Përndryshe, demokracia jonë fragjile po fundoset. Burgu është pak në krahasim me fundosjen e demokracisë!”./Kryelajmi.com/