Para pak çastesh, autoritetet serbe dhanë urdhër për të liruar kosovarët e ndaluar prej mbrëmë në kufirin Kroaci – Serbi.
12 autobusët e ndaluar u nisën për Kosovë dhe ndalimi i tyre u bë në shenjë proteste ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar.
Në mesin e të ndaluarve kishte fëmijë e pleq, të cilët së fundi kishin mbetur edhe pa ushqime.
Ndalimi i tyre ka nxitur reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.
S’ka ende informacione për të ndaluarit në pikën kufitare Serbi – Hungari.