Lista Serbe ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët e kësaj partie u penguin nga ata të Vetëvendosjes dhe u qortuan nga kryetari i Kuvendit, pasi në seancë erdhën vetëm sa për tu nënshkruar në mënyrë që mos ta humbin mandatin.
Në reagimin e tyre thuhet se ky ishte një “sulm i paprecedentë”.
“Dënojmë ashpër sulmin e sotëm të paprovokuar ndaj deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Prishtinës nga ana e deputetëve të Kurtit dhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, të cilët shpërdoruan pozitën dhe i penguan të zgjedhurit e popullit serb të jenë të pranishëm në seancën e Kuvendit. Theksojmë se gjatë sulmit ndaj deputetëve të Listës Serbe, në mesin e tyre ishte edhe deputetja Olivera Zdravkoviq, e cila është shtatzënë. Ky sulm i paprecedentë është disfatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe shembullin më të mirë të pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit, i cili çdo ditë ushtron dhunë institucionale dhe terror fizik nga Prishtina”.
Lista Serbe pretendon se kryeministri Albin Kurti po “bën gjithçka” për eliminimin e tyre.
“Jemi krenarë që Kurti po na sulmon, sepse kjo konfirmon se po i qëndrojmë rrugës për të dëbuar të gjithë serbët, por edhe tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se pse Kurti po bën gjithçka për të eliminuar Listën Srpska dhe për t’i siguruar vetes serbët e dëshirueshëm që do të punojë në interesin e tij dhe jo të popullit serb. Asgjë nuk do të na pengojë apo ndalojë të përfaqësojmë popullin tonë serb! I vetëdijshëm se nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij të cilët i ka mashtruar gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti dëshiron të marrë pikë të lira politike me kartën e nacionalizmit”.
Ata gjithashtu kërkojnë reagim nga faktori ndërkombëtar.