Liverpooli shpallet kampion i ri i Anglisë në futboll.
Titullin e 20-të të kampionit, “të kuqtë” e siguruan të dielën, katër xhiro para fundit të edicionit në Premier League.
Liverpooli e fitoi titullin me një paraqitje dominuese ndaj Tottenhamit. Skuadra e Arne Slotit fitoi 5:1 në “Anfield” në kuadër të xhiros së 34-t të Premier Leagues.
Dominic Solanke kaloi në epërsi 1:0 Tottenhamin në minutën e 12-të.
Ndërkohë Liverpooli u përgjigj shpejtë, duke barazuar në minutën e 16-të nëpërmjet Luiz Diazit. Më pas shënuan edhe Alexis Mac Allister në minutën e 24-t, Cody Gakpo në minutën e 34-t, Mohamed Salah në minutën e 63-të. Për 5:1 autogol shënoi Destiny Udogie në minutën e 69-të.
Liverpooli i ka 82 pikë, 15 më shumë se Arsenali i vendit të dytë.
Liverpooli ka dominuar gjatë gjithë kampanjës, në të cilën i pësoi vetëm dy humbje. Deri vonë e ka rivalizuar Arsenali, por jo deri në fund.
Liverpooli ka barazuar rekordin e Manchester Unitedit, që po ashtu i ka 20 tituj të kampionit të Anglisë.