Livoçi i Epërm u ka bërë pritje të jashtëzakonshme kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri dhe kandidates për Asamble nga kjo zonë, kryesueses së Kuvendit Komunal, Shpresa Kurteshi – Emini, për zgjedhjet e 17 tetorit.
Në emër të nëndegës së LDK-së ka folur kryetari i nëndegës, Idriz Ramadani, i cili tha se pa dyshim që programi i kësaj partie është oferta më e mirë që ka Gjilani, për zhvillim ekonomik, për arsim cilësor, shëndetësi me mjekun në shtëpi, për mbështetje për bujqit, kulturën, rininë dhe sportin.
Kryetari Lutfi Haziri ka falënderuar banorët e këtij fshati për mbështetjen e përhershme ndaj tij dhe LDK-së.
“Falëmnderit shumë për mbështetjen zonja e zotërinj, kryefamiljarë, veteranë, aktivistë e veprimtarë të LDK-së në Livoçi i Epërm për mbështetjen e përhershme ndaj meje dhe LDK-së. Prioritet në mandatin e ri mbetet rifunksionalimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimi i shtratit të lumit. Do të mbetem gjithmonë, Luta i Juaj”, ka thënë kryetari Haziri.
(Takimi është organizuar në formatin 50 persona në ambient te hapur, sipas rregullave kundër përhapjes së COVID-19)