𝐑𝐄𝐀𝐆𝐈𝐌 𝐏𝐔𝐁𝐋𝐈𝐊
Sot, disa media dhe portale kanë publikuar lajme me tituj senzacionalistë, të pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse e fyese, duke përdorur emrin dhe fotografinë time në një të ashtuquajtur “skandal milionësh”, me synim të qartë dëmtimin e imazhit tim personal dhe profesional.
Për të shmangur çdo keqkuptim: Unë, Liza Gashi, nuk jam subjekt dhe as palë në asnjë proces gjyqësor që ka të bëjë me këtë çështje.
Që nga viti 2020, nuk kam ushtruar asnjë funksion apo rol në organizatën GERMIN, në asnjë kapacitet. Po ashtu, nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë memorandumi të nënshkruar me CARITAS-in, as në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, as si Zëvendësministre dhe as në ndonjë kapacitet tjetër.
Jam thellësisht krenare për kontributin dhe përkushtimin tim në fuqizimin e lidhjeve me diasporën shqiptare.
Për këtë arsye, kërkoj nga të gjitha mediat dhe portalet që kanë publikuar apo shpërndarë këtë lajm të pavërtetë, të bëjnë demantimin e menjëhershëm dhe kërkim-faljen publike. Në të kundërtën, kam autorizuar avokatin tim të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për mbrojtjen e dinjitetit dhe imazhit tim.
Ju faleminderit për mirëkuptimin,
Liza Gashi