Një numër simbolik i dizajnuesve dhe qytetarëve kanë protestuar sot para selisë së Federatës së Futbollit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për logon e kësaj federate, e cila është zgjedhur ditë më parë.
Jo më shumë se dhjetë persona me këtë rast shprehën pakënaqësinë për dizajnimin e logos, duke pretenduar se kjo logo nuk e ka merituar të zgjidhet.
Ata po ashtu kanë vendosur parullën “O dhëndër na bone horë”, duke ia kushtuar këtë dizajnerit të logos, i cili thuhet se është dhëndri i Diturie Hoxhës.
Nënkryetari i FFK-së Agim Ademi dhe sekretari i saj, Eroll Salihu u kanë shpjeguar protestuesve se si ka ardhur deri te kjo zgjidhje e logos.
“Nuk është që Federata e futbollit ka bërë diçka vet, nëse kishim dashur ta bëjmë vetë personalisht diçka ne e kishim bërë vetë, si Federatë e futbollit qysh ka ndodhë deri më tani, që është ndërruar ajo kuq e zi dhe është ardhur kjo me simbole shtetërore që është bërë një ndryshim i vogël dhe realisht kemi mundur të bëjmë në formë të tillë. Por, kemi dashur të bëjmë pak më në formë profesionale dhe e kemi bërë në këtë formë ku kanë konkurruar 160 vetë”, tha Ademi.
Ndërsa sekretari i Federatës së Kosovës në Futboll, pohoi që kjo ka qenë një zgjedhje e ish-kryetarit tashmë të ndjerë të FFK-së Fadil Vokrri, pasi atij i janë ofruar tri zgjedhjet përfundimtare.
Salihu: Logoja ka qenë e zgjedhur nga Fadil Vokrri
“Ka qenë e kërkese e UEFA-s dhe FIFA-s e shërbimet të marketingut të UEFA-s të modernizohet logoja. Ajo logoja e kaltër e kemi bërë së bashku në komitet ekzekutiv si autor jozyrtar jam unë. Ka qenë kuq e zi është dashur t’i hiqen simbolet folklorike e tjera,në mënyrë që të identifikohemi me federatë të re. Tash qëllimi i Komiteti Ekzekutiv edhe kryetarit të ndjerë Fadil Vokrri ka qenë t’i involvojmë të gjitha palët e interesuara pasi kemi mundur të bëjmë vetë”, tha Salihu.
Pas kësaj, protestuesit mbajtën një takim brenda zyrave të FFK-së me drejtues të kësaj të fundit, në të cilin mediat nuk u lejuan të marrin pjesë.
Pas takimit që zgjati rreth 20 minuta, Arben Lezi nga “Prishtina Designer” tregoi se çfarë iu tha nga drejtuesit e federatës duke u pajtuar që kjo logo do të jetë së paku për dy vjet, pasi tanimë Federata e ka dorëzuar atë në UEFA.
“Këtë përfundim vetëm e kemi pritur. Na treguan nga Federata se logo është aprovuar nga i ndjeri Vokrri. Nuk kemi mundësi para dy viteve edhe nëse dëshirojmë me ndryshuar, mirëpo zgjedhja ka qenë personalisht e tij, nga tri propozimet të cilat i janë treguar. Forma se si i kanë shkuar propozimet, çfarë ka ndodhur paraprakisht, jetë e dyshimtë. Ne sugjeruam të bëhen edhe hetime për rastin e drejtoreshës së marketingut dhe lidhjen ose angazhimin e saj që ka bërë në këtë proces”, tha ai.
Me këtë logo kanë qenë të pakënaqur edhe një numër i madh i qytetarëve, të cilët kanë shprehur pakënaqësinë në rrjetet sociale, madje është krijuar edhe një peticion kundër kësaj logoje