Federata e Futbollit e Kosovës është në fazën e fundit të implementimit të sistemit modern “My FFK”, një platformë gjithëpërfshirëse që digjitalizon të gjitha aspektet e organizimit të futbollit në vend.Ky sistem është pjesë e një projekti të ofruar nga Federata e Futbollit e Arabisë Saudite, e cila jo vetëm që ka mundësuar këtë teknologji të avancuar, por edhe ka dërguar zyrtarët e saj në Kosovë, të cilët po qëndrojnë për të mbështetur trajnimet dhe për të lehtësuar funksionalizimin e plotë të platformës.
Këtë vikend zyrtarët e klubeve, shkollave të futbollit, gjyqtar dhe delegatë të regjionit të Gjilanit kanë mbajtur trajnimin e parë për përdorimin e këtij sistemi i cili do të futet në përdorim nga edicioni 2025/26.
“Ky është një hap i rëndësishëm për dixhitalizimin e futbollit kosovar, pasi edicioni garues 2025/26 do të nisë tërësisht i dixhitalizuar, me të gjitha të dhënat e ndeshjeve të regjistruara drejtpërdrejt nga fushat e futbollit, në kohë reale”, theksoi kryetari i LRF Gjilan, Armend Misini.
Ndërkohë, anëtari i KE nga regjioni ynë Naser Ajeti inkuraoi klubet, shkollat dhe gjithë pjesëmarrësit që të jenë të fokusuar dhe të gatshëm për të ardhmen, pasi e ardhmja është profesionalizmi dhe dixhitalizimi.
Administratori i regjionit Liridon Poroshtica shprehu gatishmërinë dhe mbështetjen e plotë për gjithë shkollat dhe klubet të cilat kanë nevojë për ndihmesë shtesë.