Ish deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, ka reaguar pas publikimit të raportit të FBI-së lidhur me sulmin terrorist ndaj sistemit të ujësjellësit Ibër-Lepenc. Sipas tij, dokumenti i agjencisë amerikane jo vetëm që sqaron rrethanat dhe autorët e sulmit, por gjithashtu hedh poshtë – siç i cilësoi ai – “shpifjet e rrezikshme” të disa përfaqësuesve opozitarë.
“FBI nxori raport për sulmin terrorist mbi Ibër-Lepenc, duke zbardhur aktin dhe përgjegjësit. Por ky raport shembi edhe shpifjet e rrezikshme të disa opozitarëve, kinse sulmi ka ardhur nga vet Kosova,” deklaroi Aliu.
Ai tha se interpretimet politike rreth këtij rasti kanë dëmtuar imazhin e institucioneve të sigurisë dhe kanë krijuar konfuzion të panevojshëm në opinion. Deputeti theksoi se autoritetet e Kosovës kanë bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët ndërkombëtarë dhe se raporti i FBI-së duhet të shërbejë si bazë për një debat më të përgjegjshëm politik.
Institucionet e Kosovës pritet të publikojnë detaje shtesë rreth hetimeve të mëtejshme, ndërsa çështja ka vazhduar të jetë temë diskutimesh të ashpra në skenën politike të vendit.

