Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u vlerësuar me 39 pikë – tri më shumë sesa vitin e kaluar – në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International. Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë.
Për arsyet pse Kosova ka shënuar progres në renditje për luftë kundër korrupsionit, është deklaruar Lidija Prokiç, drejtoreshë e departamentit të Evropës Lindore dhe Juglindore në Transparency International.
Sipas saj, rol në këtë ka pasur dorëzimi paqësor i pushtetit në dy zgjedhjet e zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër.
Tjetër faktor thotë të jetë edhe fakti që Kosova ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku parlamenti mbeti tërësisht funksional gjatë pandemisë.
“Kosova ka bërë përparim pas shumë vitesh qëndrimi në vend ose përkeqësimi. Tani ajo është ngjitur me tre pikë në indeks, pra, ka 38 pikë. Mendojmë se ka luajtur rol pozitiv përmirësimi në fushën e demokracisë, pra, fakti që Kosova ka pasur një dorëzim paqësor të pushtetit në dy zgjedhje të zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër. Një tjetër element shumë pozitiv në rastin e Kosovës ishte fakti që Kosova ishte një nga vendet e rralla në Evropë, ku parlamenti mbeti tërësisht funksional gjatë pandemisë. Është e rëndësishme që institucionet ta ruajnë pavarësinë edhe në kohë krize. Kosova e rriti në këtë mënyrë besimin e popullit në vendimet e marra në krizën e pandemisë”, ka deklaruar Prokiç për DW.
Në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Kurti ka thënë se përmirësimi me 17 vende nga Transparacy International tregon përkushtimin e ekzekutivit për shkatërrimin e grupeve kriminale dhe luftimin e korrupsionit.
Por, në fakt vetë Transparency International e përgënjeshtron këtë pretendim të Kurtit.