Shqiptarë apo serbë, ata nuk duan të dijnë për ndryshimet e kufinjve në mes të Serbisë dhe Kosovës, që në radhë të parë do t’i preknin ata: Banorët e Luginës së Preshevës janë të preokupuar se si të mbijetojnë.
Ky rajon jugor i Serbisë, një nga më të varfërit në vend, në vitin 2001 ishte skena e fillimit të konfliktit, kur një embrion i guerrilasve shqiptarë mori armët për bashkëngjitje me Kosovën fqinje, shkruan prestigjiozja “France Soir”, transmeton Albinfo.ch.
Ish krahina shqiptare e Serbisë, Kosova, në vitin 2008 shpalli pavarësinë e saj, ende të refuzuar nga Beogradi.
Por këtë verë, presidenti kosovar dhe ai serb, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç thanë se donin të arrijnë një marrëveshje dhe diskutuan mundësinë e “përmirësimeve territoriale”.
Mediat lokale raportojnë një shkëmbim, në njërën anë midis pjesës veriore të Mitrovicës, që është në Kosovë, por është e populluar kryesisht nga serbët dhe në anën tjetër të Luginës së Preshevës.
Sot, nga 75.000 banorë të Luginës, rreth 60.000 janë shqiptarë, një vlerësim pasi ata bojkotuan regjistrimet e organizuara nga Beogradi.
Armët tashmë kanë heshtur. Por në kufijtë e Serbisë, Maqedonisë dhe Kosovës, Lugina është e brishtë, e brishtë nga papunësia, e ndjekur nga aparati i sigurisë serbe. Nëse nuk ka shifra publike, qindra stacione ushtarake dhe policore janë të vendosura atje, transmeton më tej Albinfo.ch.
kompanitë e mëdha të epokës jugosllave tashmë janë zhdukur, siç ishin: Fabrikë e plastikës “7 Korriku”, shtypëshkronja “Grafofleks”, kompania tregtare “Buduçnost”, fabrika e klasifikimit të duhanit … Sipas shifrave qeveritare, papunësia është rreth 70 për qind.
Fasadat e rrënuara të Preshevës dëshmojnë për mjerimin. Paga mesatare është mezi 100 euro. Në Bujanoc, qyteti tjetër në Luginë, fabrika e ujit mineral Heba siguron punësim dhe paga arrin në rreth 200 euro, akoma më pak se gjysma e nivelit kombëtar.
“Pa një perspektivë pune, ne të gjithë do të përfundojmë duke u larguar”, thotë Jonuz Kamberi, një punëtor 24-vjeçar shqiptar i papunë në fushën e metalurgjisë. Çfarë mendon për një shkëmbim territoresh? “Natyrisht se nuk do të më pyesin mua”.
Do të ishte një “marrëzi”, pohon Bratislav Trajkoviç, një oficer 64-vjeçar i statusit civil serb në fshatin shumëkombësh të Reljanit: “Ajo që na duhet vërtet është puna dhe të gjithë e mendojnë të njëjtën gjë (serbët dhe shqiptarët)”.
500 banorë të Slavujevcit janë serbë. I ardhur tek shoku i tij Nenad Gjorgjeviq, Stojan Nedeljkoviqi, 55, beson se një linjë e re kufitare “nuk do të zgjidhte ndonjë problem, as ato të serbëve por as edhe të shqiptarëve. Shqetësimi kryesor është se njerëzit nuk kanë asgjë për të jetuar”, tha babai i pesë vajzave, i papunë.
“Një fabrikë do të ndryshojë gjithçka”, shton Nenad. Sepse nëse asgjë nuk ndryshon, “fëmijët do të largohen”, paralajmëron punonjësi metalurgjik 55-vjeçar i punësuar në një kompani të drejtuar nga një shqiptar. Nga 130 shtëpi në Slavujevac, rreth 40 janë bosh, dhe pjesa tjetër janë kryesisht të banuara nga “njerëz të moshuar”, thotë ai.
Për Armend Aliun, një shqiptar 40-vjeçar, nënkryetari i komunës së Preshevës, shteti serb “i ka injoruar kërkesat shumë të thjeshta”: Një zonë industriale për të tërhequr investitorët, një kalim të ri kufitar me Maqedoninë, librat shkollorë në shqip. Mosveprimi i Beogradit ka të ngjarë t`i zgjojë aspiratat kombëtare, thotë ai.
Kjo ndjenjë kombëtare shumë pak e ka shqetësuar Fadilin 60-vjeçar, i cili në Bujanoc kishte ardhur për të tregtuar: “Pensioni im në Serbi është 300 euro dhe më kanë thënë se në Kosovë është rreth 50 euro”, ka pohuar në besim dhe në kushte anonimiteti.
Njëqind kilometra në veriperëndim, në Kosovë, Nazmi Aliu, 71-vjeçar zjarrfikës në pension, gjithashtu ka frikë nga një shkëmbim territoresh që do ta vendoste nën tutelën e Beogradit.
Ai jeton në Suvidoll të Poshtëm, një fshat shqiptar në zonën veriore të Mitrovicës, informon Albinfo.ch. Kjo enklavë kryesisht serbe, ka një gjë të përbashkët me Preshevën: varfërinë.
“Mungojnë investime të konsiderueshme private” dhe paratë “vijnë kryesisht nga donatorët ndërkombëtarë dhe agjencitë qeveritare”, thuhet nënjë raport të vitit 2015, i kryer nga Instituti Riinvest në Prishtinë.
Për Adnan Jusufin, 42-vjeçar i papunë, një shkëmbim i territoreve do ta ndizte situatën: Shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës “nuk kanë punë, nuk kanë shkolla …”, ato varen nga “mbështetja e Qeverisë”. Ai dyshon se Serbia është shumë e shqetësuar për shqiptarët në pjesën veriore të Mitrovicës.