Eurodeputeti, Lukas Mandl, gjatë një intervistë dhënë për Tëvë1 ka thënë se Serbia po e bllokon progresin e Kosovës. Mes tjerash ai ka deklaruar se procesi i dialogut duhet të përfundoj me njohje reciproke, derisa ka dhënë edhe një shembull për formimin e asociacionit.
Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, këtë vikend ka qëndruar në Prishtinë.
Në një intervistë për tëvë1 politikani nga Austria ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Mandl e sheh si bazë të mirë planin franko-gjerman, megjithatë thotë se ky proces do të kishte kuptim vetëm nëse do të përfundonte me njohje reciproke.
“Është shumë mirë që po diskutohet për planin franko-gjerman, së paku ka diçka konkrete në tavolinë. Dialogu ka kuptim vetëm atëherë kur krijohen marrëdhënie të mira mes të dyja shteteve, dhe kjo duhet të bëhet përmes njohjes reciproke. Vetëm kështu do të kishte kuptim ky proces i dialogut”, ka thënë eurodeputeti austriak për Tëvë1.
Politikani, thotë se befasohet kur dëgjon nga disa njerëz që kërkojnë nga Kosova të bëjë kompromise të tjera në dialog.
Sipas tij, Kosova tashmë ka dhënë shumëçka, dhe është Serbia ajo po e pengon shtetin më të ri në Evropë.
“Befasohem vazhdimisht kur dëgjojë nga disa njerëz që kërkojnë nga Kosova të jap diçka në dialog. Kosova tashmë ka dhënë shumëçka, këtë e tregon më së miri historia. Vetëm shikoni së fundmi shtyrjet e disa marrëveshje që janë bërë nga Qeveria e Kosovës.Është shumë e qartë nuk është Kosova që po e bllokon Serbinë, por Serbia Kosovën”, ka thënë Mandal.
Tutje, ai ka treguar një model që mund të merret si shembull për Asociacionin.
“Së pari, Kosova duhet të ketë kontroll të plotë mbi territorin e saj dhe kjo është shumë e rëndësishme për paqen. Sa i përket Asociacionit, dua ta përmend një shembull të mirë i cili është Tiroli Jugor. Nuk po them që ky model mund të kopjohet pikë për pikë, për mund të shërbej si shembull i mirë për Kosovën”, është shprehur ai.
Mes tjerash, Lukas Mandl, ka deklaruar qytetarët e Kosovës më në fund do të lëvizin pa viza gjatë vitit të ardhshëm.