Rritja e rasteve pozitive me Covid-19 në disa vende të botës, sikurse Francë, Spanjë e Itali, ka bërë që edhe vende të tjera të rrezikohen sërish nga një valë tjetër e infeksionit.
Mikrobiologu Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, tha se rihapja e shkollave dhe kthimi në hapësira të mbyllura për shkak të ftohjes së motit, pashmangshëm do ta shtojnë qarkullimin e njerëzve. Ai shton se sezoni vjeshtor e rikthen edhe virusin e gripit sezonal.
‘’Të gjithë këta faktorë janë elemente për shqetësim në rritjen e rasteve të sëmundjes. Prandaj, kjo edhe më shumë e fuqizon rolin e zbatimit të masave parandaluese nga popullata dhe mbikëqyrjen e tyre nga organet shtetërore. Rezultati përfundimtar do të varet nga vetë qytetarët e Kosovës dhe nga institucionet qeveritare. Numrat e ditëve të fundit, të cilët kanë trend të uljes, na kanë treguar qartë rezultatin pozitiv të një bashkëveprimi të tillë sinkronik’’, tha Raka.
Edhe Raka ka thënë se nëse zbatohen masat parandaluese, atëherë numri i rasteve do të jetë i kontrolluar edhe për institucionet shëndetësore kosovare.
Por, ai shton se testimi gjithëpërfshirës zbulon shpejt rritjen e rasteve dhe identifikon grupet me rrezik të lartë të sëmundjes. Shpejtësia e gjurmimit të kontakteve është e rëndësishme për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes dhe duhet të bëhen përpjekje për të shkurtuar kohën e nevojshme për secilin hap në procesin e testimit, njoftimit për rezultat dhe gjurmimit të kontaktit.
‘’Deri atëherë duhet të përgatitemi sa më mirë me teste, staf dhe pajisje mjekësore. Testimi i gjerë, izolimi i shpejtë i rasteve dhe gjurmimi në kohë dhe efektiv i kontakteve dhe karantina e kontakteve të identifikuara mbeten shtyllat kryesore e reagimit të shëndetit publik për të kontrolluar COVID-19’’, tha Raka.