Mbrojtja e ambientit dhe politikat e ndryshme që mbrojnë atë pak i gjen në programet elektorale të partive politike në garën zgjedhore lokale të 12 tetorit.
Në Viti, kandidati i AAK-së, Labinot Bislimi, ka vendosur theksin në një nismë që ka rol të rëndësishëm në mbrojtje të mjedisit në këtë komunë. Mes të tjerash ai ka premtuar se nëse zgjedhet kryetar i Vitisë, do të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për rrënimin e hidrocentralit në fshatin Binçë, në shtratin e lumit Morava, i cili ka vite që operon pa leje.
“Nën qeverisjen tonë, ky abuzim me natyrën do të marrë fund. Hidrocentrali do të rrënohet pa humbur kohë: sa hap e mbyll sytë. Sepse Morava është fryma e Vitisë. Kush prek lumin, na prek ne të gjithëve. Dhe në këtë qytet nuk do të ketë më vend për padrejtësi të tilla. Shumë gjëra do të lëvizin: e mira publike nuk privatizohet”, është shprehur kandidati Bislimi gjatë takimeve elektorale të shtunën në Viti.
Bislimi ka thënë se tema e mjedisit është në qendër të platformës së tij, ku parasheh plane për trajtimin e ujërave të zeza, mbrojtjen e lumenjve dhe shtimin e gjelbërimit në hapësirat publike.
Rrjedha e lumit Morava, nuk e ka pamjen që ka pasur dikur ndërkohë edhe banorët thonë se ndërtimi i hidrocentralit i ka shkaktuar dëme të pariparueshme ambientit në atë zonë.
Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka thënë se me kandidatin e tyre në krye të Vitisë, komuna do të marrë drejtimin e duhur dhe do të shndërrohet në shembull të zhvillimit për gjithë vendin./PlusTV/