Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas vërshimeve që ka përjetuar kjo komunë.
Ai ka thënë se asnjëherë nuk e mban mend Skenderajn të zhytur në ujë.
Sipas tij, demet janë jashtëzakonisht të mëdha në pronat publike dhe ato private.
Postimi i plotë:
Asnjëherë nuk e mbaj mend Skenderajn të zhytur në ujë e të vërshuar kështu. Përjashto luftën, kjo është situata ndër më të vështirat për ne dhe qytetarët tanë. Gjendje e rëndë paraqitet në gjithë rrjedhën e lumit Klina, duke filluar nga Kuqica, Klina e Epërme, Klina e Mesme, Klina e Poshtme, pjesa e qytetit në lagjen Murtezaj, në zonën pranë rrugës “Ilaz Kodra”, në lagjen 4, në Llaushë, Tushilë, Kopiliq, Kllodernicë, Turiqefc, Aqarevë e disa zona të tjera të prekura.
Ka dëme të jashtëzakonshme financiare në prona publike e private, në ekonomi familjare e në biznese. Fati më i madh në këtë rast është që nuk ka asnjë viktimë në njerëz, kurse po bëjmë punë pa ndalë me të gjitha ekipet, me shtabin emergjent, zjarrëfikësit, me kompani private e njerëz të vullnetit të mirë dhe me 11 komisionet për vlerësimin e dëmeve, të cilët janë në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara, vlera e të cilave në bazë të të dhënave preliminare konsiderohet të jetë dhjetëra miliona euro.
Jemi bashkë me qytetarët në këtë situatë të jashtëzakonshme, e cila kërkon angazhim, bashkëpunim por dhe durim për ta tejkaluar atë. Bashkë do ta kalojmë edhe këtë sfidë ashtu si çdoherë tjetër. Bashkë do ta rindërtojmë Skenderajn!
SL