Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me familjen e dëshmorit Nezir Shurdhani, në 21 vjetorin e vrasjes, kanë bërë sot homazhe te vendi i rënies, në fabrikën e Çelikut.
“Jemi në vendin e rënies së dëshmorit, Nezir Shurdhani, në shenjë respekti e nderimi. 22 qershori 1999 shënon vetëm ditët e para të lirisë në qytetin tonë dhe 21 vjet më parë u ndal njëri nga bashkëveprimtarët, bashkëluftëtarët dhe patriotët në këtë anë, për të mos e gëzuar këtë liri. Kjo ndalje ka qenë e dhimbshme”, ka thënë kryetari Haziri.
Haziri tha, po ashtu, se rënia e dëshmorit ka qenë e dhimbshme një javë pas hyrjes së UÇK’së dhe forcave të NATO’s.
“Vetëm një javë pas hyrjes së forcave të UÇK’së dhe 11 ditë pas hyrje së forcave të NATO’s në Gjilan, kjo përballje e fundit me fallangat e okupatorit dhe paramilitarët, plagosën tre qytetarë dhe e vranë Nezirin. Familja Shurdhani do të mbetet gjithmonë e nderuar sepse e ka nderuar vepra dhe gjaku i dëshmorit. Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit, Nezir Shurdhani”, ka shtuar Haziri.
Në emër të familjes ka folur vëllai i dëshmorit Nezir Shurdhani, Fatmiri, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për nderimin që ua ka bërë sot dhe të gjithë dëshmorëve në përgjithësi.
“Për neve 21 qershori ka qenë ditë e gëzueshme sepse vëllau ynë, Neziri, në këtë datë ka ardhur në punë duke iu ka gëzuar lirisë dhe në mbrojtje të institucioneve publike. Por, ai gëzim ka qenjë shumë i shkurtër sepse në ora 02:20 minuta të natës, janë sulmuar nga paramilitarët serbë rojet e ndërmarrjes ndërmarrjes Çeliku, janë plagosur tre prej tyre, ndërsa vëllau në tërheqje e sipër të shokut të tij, mbeti i vrarë. E falënderojmë shumë kryetarin Lutfi Haziri për kujdesin dhe respektin e treguar institucional”,
ka deklaruar Shurdhani.