Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka përgëzuar menaxhmentin e çerdhes në lagjen Dardania, duke thënë se ky institucion është shembulli më i mirë i preventimit të infeksionit me COVID-19.
“Është një institucion që e ka preventu infeksionin dhe nuk ka leju me hy brenda. Ju përgëzoj për punën e madhe që e keni bërë. Këtu ka funksionuar perfekt trekëndëshi prindër-nxënës-mësimdhënës”, ka thënë Haziri, gjatë vizitës në këtë çerdhe me një pjesë të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-
19.
Ndërkaq, drejtoresha e IP Dardania, Shqipe Kastrati-Haziri, e ka falënderuar Hazirin për vizitën dhe përkrahjen e madhe të ofruar, derisa e ka njoftuar për mënyrën e funksinimit aty.
“Në task-forcën e çerdhes janë të përfshirë edhe prindërit e edukatoret dhe secili i ka përgjegjësitë e tyre. Dhomat e fëmijëve pastrohen dy herë në ditë, përfshirë edhe dezinfektimin ditor. Po mundohemi të jemi shembull sa i përket respektimit të masave, sikur që po funksionon për mrekulli partneriteti me prindërit”, ka thënë Kastrati-Haziri.
Ndryshe, kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, theksoi se këtë shembull të IP Dardania, do ta bartin edhe në shkolla e institucione të tjera, për mënyrën e mirë të funksionimit sa i përket parandalimit të përhapjes së virusit.