Gjilan, 25 maj 2017 – Në ditën e themelimit shkollës “Rexhep Elmazi”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vënë gurthemelin e sallës së edukatës fizike brenda hapësirave të shkollës.
Me këtë rast, kreu i gjilanasve fillimin e këtij projekti ia ka atribuar familjes Elmazi, për të cilën tha se ata janë shembulli më i mirë se si duhet atdheu.
“Ndërtimi kësaj salle është kërkesë e kahmotshme, është interes i zhvillimit të planprogramit dhe krijimit të hapësirave për fëmijë. Është një detyrë e vogël që ne po e kryejmë krahas planit që të renovohet në tërësi shkolla. Dua ta bëjë publike që projektin tonë e ka mbështetur djali i Rexhep Elmazit, Salvadori dhe kjo dhuratë, fëmijëve i shkon si dhuratë nga familja Elmazi. Familja e Rexhep Elmazit është shebulli më i mirë se si duhet qyteti, komuna e atdheu”, ka deklaruar Haziri.
I pari i Gjilanit nuk la pa folur për figurën e dëshmorit Rexhep Elmazi, për të cilin theksoi se na mësoi se si të mos e durojmë padrejtësinë.
“Më 25 majin e asaj kohe, kur të tjerët festonin, gëzonin, uronin dhe vraponin pas stafetave, gjilanasit, familja e tij dhe ne, u ndamë nga njeriu, i cili, është njohur si njeri i vargjeve, i letrave, i urtë, familjar dhe i përkushtuar. Në jemi rritur me vepra e shkrime të tilla. Kjo neve ta bënë të dallueshëm, të pandikuar në asnjë ditë e asnjë situatë. Kolosët si Rexhep Elmazi na mësuan se si të mos e durojmë padrejtësinë”, ka potencuar kryetari Haziri.
Ndërsa, djali i dëshmorit Rexhep Elmazi, Salavadori, ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin e madh për familjen e tij, ndërkaq ka thënë se ndërtimi i sallës së edukatës fizike do të krijoj kushte më të mira për rezultatet e nxënësve dhe mësimdhënesve, sikurse edhe komunitetit.
Drejtori i shkollës fillore “Rexhep Elmazi”, Aliriza Osmani, ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e fuqishme në ndërtimin e kësaj salle, përderisa është shprehur krenar me rezultatet e mëdha që nxënësit e kësaj shkolle kanë treguar për një vit.
Ndryshe, me inicim të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, Komisioni Qeveritar shpallur Rexhep Elmazin Dëshmor i Kombit.
Në fund të kësaj ngjarje, nxënësit e shkollës fillore “Rexhep Elmazi” kanë shfaqur një program të pasur kulturor-artistik.