Nënkryetari i LDK-së dhe ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka folur pas humbjes me rezultat të ngushtë në zgjedhjet e 14 nëntorit.
Në T7, Haziri ka thënë se diçka e madhe ka ndodhur, por nga brenda e jo nga jashtë.
“Diçka e madhe ka ndodhur në Gjilan, por ka ndodhur nga brenda, jo nga jashtë. Por, nuk dua që rrugën time politike 32-vjeçare ta njollos. Jeta është më e gjatë sesa një proces i vogël politik”, ka thënë Haziri, në emisionin DPT te Fidani në T7, transmeton Mediafokus.info.
“Sipas një sondazhi, 75 për qind e strukturave dhe e votuesve të PDK-së e kanë votuar VV-në”, tha ai.
Nënkryetari i LDK-së është pyetur edhe për koalicionin VV-PDK, të cilin e ka quajtur koalicion të pakicës, meqë LDK është partia e parë në Kuvendin Komunal me 14 këshilltarë, katër më shumë se VV.
“Në Gjilan është ndërtuar qeveria e pakicës VV-PDK. Është krijuar perceptimi publik që LDK shkakton koalicione të çuditshme e të papritura, që realisht ka ndodhur, por kjo që ka ndodhë në zgjedhjet lokale, ka thyer të gjitha pritjet dhe premtimet. Janë shkelur vijat e kuqe dhe krejt ajo kundërshti duke bërë me gisht, ajo që e kam quajtur garë e pështymës. Madje, kanë shku deri në atë nivel që PDK janë quajtur kasta e banda, por kështu janë interesat politike, kalojnë përtej pritjeve”, ka thënë Haziri.
“Ky është vendim i funksionarëve dhe anëtarësia nuk e pranon lehtë. Unë personalisht e kam pritur që do të ndodhë koalicioni. Ata janë kundërshtarë politikë, por kanë qenë bashkë në parti. Por, nuk është politikisht korrekte nëse në fillim nuk deklarohet me kohë”, ka theksuar Haziri.