Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverinë Kurti, për sic ka thënë, bllokimin e autostradës Gjilan-Prishtinë.
Në katër vjetorin e fillimit të këtij projekti, nënkryetari i LDK-së ka thënë se bllokimi i punimeve të kësaj autostrade është bllokim i mundësisë së zhvillimit ekonomik për një popullatë prej gjysmë milioni banorë të Anamoravës e Kosovës Lindore.
“Në shenjë simbolike, katër vite më parë e pikërisht në vendin sinonim të kryengritjes – Malësinë e Zhegocit, kemi bërë hapjen zyrtare të punimeve të autostratës Prishtinë-Gjilan-Konçul, të cilën e projektuam bashkë me qeverinë e Isa Mustafës, e filloi qeveria Haradinaj, e vazhdoi qeveria Hoti, por fatkeqësisht e ndërpreu qeveria Kurti, me arsyetime koti”, ka shkruar Haziri në profilin e tij në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
23-vjetori i kryengritjes së madhe për çlirim dhe liri të Kosovës – Beteja e Zhegocit
Në këtë ditë ranë për të mos vdekur kurrë Pajazit Ahmeti e Alban Ajeti, të cilët do t’i kujtojmë gjithmonë sepse ata janë dy shpirtra të bardhë që bëjnë dritë mbi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ky gjak i derdhur i tyre shënon kthesën e madhe të kryengritjes në Anamoravë. Ne e i kujtojmë këta dy dëshmorë dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët tjerë të Zonës së Karadakut, luftëtarët e UÇK-së, të gjallët, veteranët e luftës, invalidët e familjarët e tyre. Ata dhanë më të shtrenjtit, më të çmuarit e zemrës së tyre që Kosovës i dhanë dritë dhe liri.
Lavdi e përjetshme Pajës e Albanit, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe një falënderim deri në gjunjëzim për të gjithë luftëtarët e lirisë që me kontribut dhe sakrificë luftuan për këtë ditë të bardhë të sotshme.
Në shenjë simbolike, katër vite më parë e pikërisht në vendin sinonim të kryengritjes – Malësinë e Zhegocit, kemi bërë hapjen zyrtare të punimeve të autostratës Prishtinë-Gjilan-Konçul, të cilën e projektuam bashkë me qeverinë e Isa Mustafës, e filloi qeveria Haradinaj, e vazhdoi qeveria Hoti, por fatkeqësisht e ndërpreu qeveria Kurti, me arsyetime koti.
Bllokimi i punimeve të kësaj autostrade është bllokim i mundësisë së zhvillimit ekonomik për një popullatë prej gjysmë milioni banorë të Anamoravës e Kosovës Lindore.
Mjaftë më me ankesa. I keni krejt mekanizmat në dorë, punoni. Zhbllokojeni këtë projekt jetik për Anamoravën. Qytetarët e kësaj pjesë janë të butë e lojalë ndaj shtetit, por mos harroni se nuk durojnë pafund!