Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune ambasadorët e akredituar në Kosovë të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, me të cilët kanë biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, kulturor, politik dhe në të gjitha fushat e mundshmë në shërbim të qytetarëve të këtyre vendeve.
Kryetari Haziri ka thënë se, në kuadër të shënimit që bëhet për nder të 11 marsit, ku qytetarët e Gjilanit udhëhoqën njërën nga kryengritjet më të madha të lëvizjes së studentëve në vitit 1981, sot pikërisht këtu kemi ambasadorët e tri shteteve mike.
“Sot në Gjilan kemi ambasadorët e tri shteteve që sot janë me ne në një përfaqësim të shteteve mike të Gjilanit. Gjilani është njëra nga Komunat që ka një bashkëpunim të mirë me të gjitha komunat në nivelin rajonal. E në këtë rast një bashkëpunim ndërkomunal me Maqedoninë e Veriut përmes projekteve në disa Komuna. Njëkohësisht, edhe me Shqipërinë dhe Malin e Zi, në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe në bashkëpunimin kulturor. Do të punojmë bashkë në kuadër të mikro-regjionit Gjilan-Kumanovë-Preshevë dhe më gjerë, ku përfshihen 17 komuna, duke qenë në fokus aktiviteteve ekonomike, sociale, edukative dhe çdo sektor i cili është i domosdoshëm”, ka thënë pas takimit kryetari Haziri.
Rexhep Salihu, ambasador i Maqedonisë Veriore në Kosovë, ka thënë se krahas aspiratave që kanë si shtete në kuadër të integrimeve, sot në Gjilan kemi vendosur që të krijojmë urat e fuqishme të bashkëpunimit dhe zhvillimit, duke shkëmbyer mallrat, idetë dhe përvojat e mira mes vete.
Ai ka thënë se në një të ardhme të shpejt do të kemi edhe lidhjen e fuqishme mes Gjilanit dhe Kumanovës përmes pikës kufitare në Stançiq, por “që një e ardhme tjetër këta kufij do t’i shoh vetem në aspektin administrativ sepse interesi i përbashkët është integrimi në Bashkimin Evropian”.
Ndërkaq, Ferhat Dinosha, ambasador i Malit të Zi në Kosovë, ka spikatur rëndësinë që ka Gjilani si shembull i mirë i një qeverisje të mirë dhe me projekte të shumta të cilat do të jenë të arsyshme të merren nga Komunat e ndryshme në Malin e Zi.
“Është Panairi i Gjilanit, ai për të cilin do të angazhohemi direkt që këtë vit të kemi një pjesëmarrje më të gjerë nga të gjithë prodhuesit dhe ndërmarrësit pa dallime etnie. Njëkohësisht, do të kemi edhe bashkëpunime të tjera në fushën e turizmit, kulturës, arsimit, zhvillimit ekonomik e deri te binjakëzimet, sepse Gjilani ka çka të ofrojë në këtë aspekt dhe do të jetë një hap i rëndësishëm për të ardhmen”, ka thënë Dinosha.
Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë, ka thënë se së bashku edhe me dy ambasadorët tjerë janë në Gjilan që t’i japin impulse pozitive bashkëpunimit edhe më të fuqishëm gjatë të ardhmes me komuna të ndryshme në nivel rajoni.
“Përmes ekspozesë që kemi marrë nga kryetari Haziri për mundësitë që ka Gjilani dhe projektet e përbashkëta që mund t’i zhvillojmë, janë një mundësi e madhe dhe një hapësirë e mjaftueshme për bashkëpunime dhe rezultate frytdhënëse”, ka thënë mes tjerash Minxhozi.
Pas takimit, kryetari Haziri së bashku edhe me ambasadorët Dinosha, Minxhozi e Salihu, kanë qendruar për ngushëllime në familjen Çoçaj, pas aksidentit tragjik që ndodhi të enjten, ndërkaq personave të lënduar u kanë dëshiruar shërim të shpejtë.