Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka ndarë sot çmimin “Qytetar Nderi i Gjilanit”, për gazetarin Marin Mema, për kontributin e dhënë në rrugëtimin e Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, e në veçanti për angazhimin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut dhe kombit në përgjithësi.
Kryetari Haziri ka falënderuar kuvendarët e Gjilanit votuan unanimisht për nismën e tij, në mbledhjen e të enjtes.
“Me votimin e Kuvendit të Komunës dhe në prani të shkëlqësisë së tij, ambasadorit të Shqipërisë në Kosovës, Qemajl Minxhozi, në prezencë të nënkryetarit të Bujanocit dhe udhëheqësve më të lartë institucional e regjional të Gjilanit, sot e ndaj çmimin në emër të të gjithë qytetarëve të Gjilanit, në vlerësim të punës dhe angazhimit që Marin Mema ka dhënë me punën e tij, e cila është mbarëshqiptare edhe përtej kufijve administrativë e politikë. Emri i Marinit tashmë përpos të një gazetari hulumtues, është emër i një patrioti që kalon përmasat e kufijve të Kosovës dhe Shqipërisë. Ai ka forcuar lidhjen tonë dhe ka faktuar prezencën tonë dhe shpërndarjen tonë të farës shqiptare me qenie, kulturë, prezencë dhe gjuhë. Gjilani është i vendosur në pikën kufitare mbrojtëse të shumicës shqiptare”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai më tej ka folur për fatin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë të drejtave e tyre civile në Kosovë dhe të drejtave politike në Serbi.
“Gjilani vazhdon kontributin e vet për mbështetje të shqiptarëve në Kosovën Lindore, por njëkohësisht edhe të angazhimit për t’i sjellë Gjilanit figura të ndritura sikur Marini, i cili radhitet në mesin e emrave të shquar për ne, si Beqir Musliu, Bob Dole, presidenti Ilir Meta e të tjerë”, ka thënë ai.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se Gjilani i dha çmimin “Qytetar Nderi”, gazetarit që tashmë është i të gjithë neve kudo që jemi në Ballkan, Evropë dhe në botë.
“Ai me punën e tij ka zbardhur rolin tonë që kishim në të kaluarën dhe atë që kemi edhe sot. Marini është nga çdo trevë e shqiptarëve dhe jo vetëm kaq. Vepra e tij e ka ofruar atë në mesin e secilit prej neshë, në lagjen, familjen dhe qytetin tonë. Kryetari i Komunës z.Haziri, Asambleja Komunale dhe qytetarët e Gjilanit e më gjerë, kanë bërë diçka shumë të madhe për Marin Memën”, tha mes tjerash, ambasadori Minxhozi.
Ndërsa, gazetari i njohur shqiptar, Marin Mema, ka thënë se ky çmim dhe ky organizim është një kënaqësi dhe moment shumë i veçantë për të.
“Sot dhe gjithnjë e më shumë po dëshmojmë se dimë të afrohemi, por e ardhmja duhet të na ofrojë edhe më shumë. Duhet të çrrënjosen jo kufijtë mes nesh, por problemet që kemi e që janë gjera që gjithmonë na kanë mbajtur larg. T’i lëmë mëritë, përçarjet e konfliktet e të gjejmë rrugët e përbashkëta për të ecur bashkë në një rrugë që na përket. Pa të kaluarën, pa patriotizmin dhe pa historinë e ndritur që kemi, ne nuk ngremë dot, jo shtëpinë, por do ta quaja kështjellën e shqiptarisë. Është e nevojshme që ne të kuptojmë sakrificën që kanë bërë shqiptarët e mëdhenjë e deri në sakrificën e luftës së Kosovës, ne kishim sakrifica të mëdha të prirë nga një luftë e madhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sot kemi një betejë të madhe atë të rrugëtimit të sigurtë brenda tokave shqiptare me frymën dhe pasurinë e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Mema.
Gjithashtu, në këtë takim ka folur nënkryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu, i cili ka falënderuar kryetarin Haziri për vlerësimin që bënë për personalitetet e veçanta dhe meritore, sikur që edhe përkushtimin e vazhdueshëm që kryetari i Gjilanit ka dhënë në vazhdimësi për Kosovën Lindore.
Ndryshe, asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit me shumicë absolute kanë votuar të enjten për nismën e kryetarit Haziri për ta shpallur Qytetar Nderi gazetarin e njohur shqiptar, Marin Mema.